
Një ngarkesë prej 1.2 tonë kanabis e kapur gjatë 2020 dhe që llogaritet të ketë vlerën e 1 milionë e 700 mijë euro.
Çifti italian i dënuar në Greqi për këtë episod, rezulton se punonte për një grup kriminal shqiptar, shefi i së cilës një person i identifikuar si Kristo Qirici u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.
Të vërtetën e zbuluan komunikimet në aplikacionin SKY ECC gjatë një hetimi të hapur në 2022 për 9 akuza, ku veç dy krerëve të grupit kriminal që kultivonte kanabis në zonën e Sarandës dhe të Tepelenës dolën zbuluar edhe katër zyrtarë policie, tre prej të cilëve u arrestuan kurse një tjetër vijon në kërkim.
Në një hetim te finalizuar me dhjetë të dyshuar, SPAK njoftoi se grupi veproi midis 2019 dhe 2020, duke ndarë detyrat për mbjelljen e bimës narkotike e duke gjetur transportues të ngarkesave drejt Greqisë.
Ajo që vihet re thekson SPAK është kompaktësia e grupit , sepse sa herë që arrestoheshin bashkëpuntorët, anëtarët e tjerë aktivizoheshin duke garantuar mbështetje ekonomike dhe mbrojtje për proceset gjyqësore.
Mes dhjetë masave të firmosura nga Gjykata e Posaçme në Tiranë gjenden edhe emrat e zyrtarëve të policisë Elvis Dervishi shef i policisë kufitare Himarë, Erdit Azizaj ish-shef operacionales, Shkëlzen Ruska shef I krimeve në Himarë dhe Ervis Alisinanaj Shef i krimeve në Lushnjë.
Ata shfaqen në biseda jo vetëm si këshillues të grupit për tju shmangur kontrolleve, por edhe sigurues të lehtësirave sikurse evitimi i problemeve gjatë kultivimit të drogës. Episodi tjetër është ai I bllokimit të 1280 kilogramë kanabis që i përkiste një grupi te dyte, i cili dhe në këtë rast asistohej me këshilla e ndihmë nga një zyrtar policie.
Mes bisedave në SKY dhe ENCHRO zyrtarët e policisë nën hetim, i kanë sugjeruar një shtetasi që armën pa leje ta deklaronte nën zotërim një i mitur, i cili në të vërtetë ishte duke drejtuar pa dokumenta vetëm mjetin.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar më 23.09.2022, proçedimin penal nr.169 të vitit 2022, si dhe aktualisht po vazhdon hetimet paraprake për veprat penale; “Fallsifikim i dokumentave”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” , “Shpërdorim i detyrës” , “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Trafikimit të lëndëve narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal, “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal , “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal, “Grupi i strukturuar Kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal“ , të parashikuar nga nenet 186, 245/1, 248, 283/a e 28/4, 284 e 28/4, 287 e 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze dhe greke ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri dhe Greqi.
Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është bërë i mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe veprave penale, një pjesë e të cilave është kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal si vijon:
Nga hetimi del në pah fakti se gjatë viteve 2019-2021, pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal, kanë pasur detyra të caktuara me qëllim kultivimin e bimëve narkotike, cannabis sattiva në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, duke e mbjellë në zona të caktuara dhe kultivuar në ambiente të mbyllura.
Në bashkëpunim mes tyre, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kanë siguruar bimën narkotike, ndërsa anëtarë të caktuar, personat që do të kryenin transportin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë. Ajo që vihet re është se në rastet kur anëtarët e këtij grupi arrestoheshin nga agjencitë ligjzbatuese, anëtarët e tjerë interesoheshin për t’i garantuar ndihmë ekonomike personave të arrestuar si edhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore.
Përveç krijuesit, drejtuesit dhe organizuesit që dyshohen se janë shtetasit nën hetim; K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A), anëtarë të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal që kryente trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi, dyshohen se janë:
Nga hetimi është arritur të dokumentohet rasti i trafikimit për në Greqi, më 07.03.2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi.
Përveç krijuesit, drejtuesit dhe organizuesit që dyshohen se janë shtetasit nën hetim K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A), anëtarë të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike, dyshohen se kanë qenë:
Nga hetimi, evidentohet fakti i pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nga të ardhura të dyshuara prej përfitimit nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe kultivimi i bimëve narkotike nga personat nën hetim K.Q (alias J.H, alias J.Q) , E.A (alias K.A) dhe SH.K, të cilët si gjatë periudhës së veprimtarisë kriminale në trafikimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike, ashtu dhe pas kësaj periudhe, kanë investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, me qëllimin e vetëm, pastrimin e produkteve të veprës penale.
Nga hetimet është evidentuar fakti se gjatë viteve 2019-2021, në zonën Tepelenë-Gjirokastër ka vepruar një grup i strukturuar kriminal i destinuar për kultivimin e bimëve narkotike, ku krijuesi, drejtuesi dhe organizuesi i këtij grupi të strukturuar kriminal dyshohet se është shtetasi nën hetim L.B (alias E.S), ndërsa anëtarë të tjerë të këtij grupi dyshohet të kenë qenë:
Nga hetimi është arritur të dokumentohet fakti se në datën 01.10.2020, nga shërbimet e policisë gjyqësore te Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari, Tepelenë, (në një distancë rreth 1000 metra nga fshati Dukaj për në fshatin Salari), në një furgon tip “Iveco”, me ngjyrë të bardhë të mbyllur janë gjetur dhe sekuestruar bimë narkotike cannabis sattiva në formën e bimëve, me kërcell, degë, gjethe dhe boçe, në gjendje të njomë, me peshë totale 1280 (një mijë e dyqind e tetëdhjetë) kilogram dhe e përberë nga 1360 (një mijë e treqind e gjashtëdhjetë) bimë me gjatësi 30 – 120 cm.
Nga veprimet hetimore në kuadër të procedimit penal nr.169 të vitit 2022 të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme, ka rezultuar se bimët narkotike ishin kultivuar nga grupi i strukturuar kriminal i drejtuar nga L.B (alias E.S).
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.17, datë 28.02.2025 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit K.Q (alias J.H, alias J.Q) , E.A (alias K.A), B.T, SH.K, XH.B, L.B (alias E.S), E.H, E.D, SH.R dhe E.A.
Më datën 01.03.2025 nga Agjencia e Mbikqyerjes Policore dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë ekzekutuar urdhërat për ekzekutimin e vendimit penal nr.17, datë 28.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasit:
Është shpallur në kërkim punonjësi i policisë E.D, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë me detyrën e Shefit të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë, Sarandë , ndërsa aktualisht ishte me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.
Gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë kryer veprimet e mundshme proçeduriale dhe operative për lokalizimin e shtetasve të tjerë ndaj të cilëve Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.17, datë 28.02.2025 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” dhe zbatimin e masave të sigurimit, por ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm ndodhej jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të ndryshme si telefona, armë etj, dhe po vazhdojnë kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera
Falenderojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Byronë Kombëtare të Hetimit për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.
Falenderim të veçantë për Eurojust, Europol, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe Greke për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij proçedimi penal.
Top Channel