
Qeveria e Izraelit ka ndaluar futjen e ndihmave humanitare në Gaza, pasi faza e parë e armëpushimit me Hamasin ka skaduar.
Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Hamasi ka refuzuar deri më tani që ta pranojë zgjatjen e përkohshme të armëpushimit, siç u propozua nga emisari i SHBA-së, Steve Witkoff.
Një zëdhënës i Hamasit e ka quajtur këtë lëvizje “shantazh” dhe u ka bërë thirrje ndërmjetësuesve ta bindin Izraelin që ta lejojë futjen e ndihmave.
Grupi militant palestinez dëshiron që faza e dytë e armëpushimit të procedohet siç ishte dakordësuar më herët, me lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza dhe të burgosurve palestinezë që mbahen në Izrael e po ashtu me tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Faza e parë e armëpushimit Izrael – Hamas hyri në fuqi më 19 janar dhe skadoi të shtunën. Gjatë kësaj faze u liruan 33 pengje izraelite e pesë tajlandeze, dhe rreth 1900 të burgosur palestinezë.
Por, faza e dytë ende nuk ka nisur. Besohet se 24 pengje që mbahen në Gaza janë ende gjallë, dhe 39 tjerë besohet se kanë vdekur.
Hamasi kreu sulm të paprecedentë në Izrael më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë 1200 persona dhe marrë peng 251 tjerë.
Izraeli reagoi me sulme ajrore dhe tokësore në Gaza, gjatë të cilave u vranë 48 mijë e 365 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Top Channel