Instagram-i vjen me përditësime dhe Amazon me lajme të këqija! Mësoni gjithçka në “Top Tech”…

01/03/2025 22:15

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë.

Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Adobe Firefly AI

Adobe po na bën të mashtrojmë në dizajn! Po, e ke dëgjuar mirë – harro kursin 3-mujor të Photoshop-it, harro tutorialet 20-minutëshe në YouTube që si gjithmonë i shikon vetëm 3 minuta. Adobe Firefly AI është këtu për të të kthyer në një artist profesionist… pa qenë artist profesionist. Tani nuk ka më nevojë të dish të vizatosh apo të luash me layer-at si një mjeshtër i dizajnit. Thjesht shkruaj një ide dhe Firefly ta vizaton më bukur se ç’e kishe imagjinuar. Po, po, edhe atë idenë e çmendur që doje ta bëje vetë, por të doli një kryevepër që duket sikur është bërë në Paint. Po ama, Adobe nuk ta jep këtë fuqi falas… ose më saktë, ta jep falas me kufizime. Abonimi premium kushton 7.99$ në muaj, që është më pak se çfarë do paguaje për një dizajner amator në Fiverr. Por ja ku është dilema: a do bëhesh master i dizajnit me një klik apo do vazhdosh të mësosh Photoshopin?

Amazon Appstore për Android

Amazon Appstore për Android po mbyllet! Po, e dëgjuat mirë. Nga 20 gushti 2025, Amazon do të heqë prizën për app storin e tyre për aplikacionet në pajisjet Android. Nëse keni shkarkuar aplikacione nga ky store, mos u shqetësoni; ato mund të vazhdojnë të funksionojnë, por pa update të garantuara. Është si të kesh një makinë të vjetër që ende ecën, por s’gjen më pjesë këmbimi për të. Dhe për ata që kanë grumbulluar Amazon Coins si të ishin monedha ari në një lojëra, më vjen keq por që nga 20 shkurti 2025, nuk mund të blini më monedha të reja. Pra, është koha t’i shpenzoni ato që keni deri më 20 gusht, sepse pas kësaj date, çdo monedhë e papërdorur do të rimbursohet. Më shumë detaje për rimbursimet do të vijnë më vonë, kështu që mbani sytë hapur. Pra, nëse keni përdorur Amazon Appstore në pajisjen tuaj Android, është koha të mendoni për alternativa dhe të përgatiteni për ndryshimet që po vijnë.

Kufjet dhe përdorimi i tepërt i tyre

Në një botë plot me zhurma, kufjet me noise cancelling janë bërë shpëtim për shumë prej nesh. Por, a e dini se përdorimi i tyre i tepruar mund të sjellë probleme? Sipas mjekëve, dëgjimi i muzikës me volum të lartë për më shumë se dy orë pandërprerë mund të dëmtojë dëgjimin, veçanërisht te të rinjtë. Në Shqipëri, përdorimi i kufjeve me Bluetooth dhe me anulimin e zhurmës janë bërë trend. Por, ndërsa ne përpiqemi të izolohemi nga zhurmat e përditshme, duhet të jemi pak të kujdesshëm. Përdorimi i zgjatur i këtyre kufjeve mund të shkaktojë lodhje të veshëve dhe, në disa raste, humbje të përkohshme të dëgjimit. Pra, herën tjetër që vendosni kufjet për të shmangur zhurmën e qytetit, mbani mend të bëni pushime të rregullta për të lejuar veshët tuaj të pushojnë. Në fund të fundit, ndërsa teknologjia na ofron komoditet dhe qetësi, është përgjegjësia jonë të kujdesemi për shëndetin tonë.

Alef Aeronautics – Model Zero

Po të fitonim një lek për çdo herë që dikush ka thënë “Eh, sikur makinat të fluturonin”, do kishim blerë një nga këto! Alef Aeronautics ka prezantuar Model Zero, makinën elektrike që jo vetëm ecën në rrugë, por kur i teket… edhe fluturon! Po, më në fund s’ka më ngecje në trafik, dhe s’ka më justifikime për vonesa. Tani mund të kalosh mbi të gjithë, si një boss i vërtetë. Por prit, se ka më shumë! Në rrugë mezi i menaxhojmë shoferët që ndalojnë ku t’iu teket, tani imagjino t’i kemi edhe në ajër! Një makinë para teje, një mbi ty, një poshtë teje, një që të vjen diagonalisht edhe tjetri që është bërë rraketë – një kaos total! Dhe të mos flasim për ata që harrojnë të ndezin sinjalin kur kthehen majtas (zakonisht ato që kanë BMW) … po sikur të harrojnë ta vënë në AJËR? BAM, përplasje mbi pallate! Dhe pastaj, komshiu që të nevrikosej ngaqë e parkoje makinën para pallatit … tani mund t’ia parkosh direkt mu në ballkonin e tij! Alef thotë se Model Zero do të dalë në prodhim në 2025-2026, por kjo ngre pyetjen: A jemi gati për një trafik tridimensional? Apo thjesht do ta bëjmë rrëmujë edhe qiellin, njësoj siç kemi bërë rrugët? Vetëm koha do ta tregojë…

Një robot që të ndihmon me gjithçka

Imagjinoni të keni një robot në shtëpi që jo vetëm që duket si njeri, por edhe dëgjon dhe vepron sipas komandave tuaja. Kompania Figure ka prezantuar një robot humanoid që mund të marrë urdhra me zë për t’ju ndihmuar në punët e përditshme. Por, le të jemi realistë. Në një shtëpi tipike, ku teknologjia më e avancuar mund të jetë një fshesë Dyson, një robot që ndihmon në shtëpi mund të duket si një luks i tepruar. Gjithsesi, për ata që janë të gatshëm të provojnë teknologjinë më të re, ky robot mund të jetë zgjidhja perfekte për të shmangur grindjet familjare mbi kush do të lajë enët apo të pastrojë shtëpinë. Megjithatë, duhet të pyesim veten: a jemi gati t’i besojmë një roboti që të kujdeset për snacksat tona të preferuara? Dhe çfarë ndodh nëse roboti vendos t’i hajë vetë ato?

Instagram po na shpëton jetën me këto përditësime të reja!

Po e them troç: DM-s më në fund po bëhen më të mençura! Instagram ka vendosur opsionin e message scheduling, që do të thotë se tani mund të shkruash një mesazh dhe ta caktosh që të dërgohet automatikisht më vonë. Pra, nuk ke më justifikime për të harruar urimet e ditëlindjes! Shkruaje sot, vendose për dërgim pas një jave dhe …. dukesh si person i organizuar, edhe pse je duke parë TikTok në 3 të mëngjesit! Instagram tani të lejon të bësh pin deri në 3 mesazhe në krye të bisedës. Fundi i epokës ku duhej të bëje scroll për të gjetur adresën e festës që shoku yt e ka dërguar para një jave! Një pin dhe je rehat. Tani gjithashtu mund të ndash fragmente të këngëve direkt në chat. Në vend që t’i dërgosh dikujt një link të Spotify dhe të lutesh që ta dëgjojë, tani e luan direkt aty! Edhe algoritmi s’do të të gjykojë më për shijen muzikore. “Dhe fundja… a flet Instagrami shqip?” PO! Përkthimi i mesazheve në 99 gjuhë është këtu. Tani s’ka më barrierë gjuhësore. Shkruaj në shqip, përktheje në japonisht, bëj sikur di shumë gjuhë dhe vazhdo jetën!

Microsoft sapo ka bërë një hap të çmendur në kompjuterat kuantik!

Po, e dëgjuat mirë! Ndërsa ne ende zihemi me kompjuterët tanë që bllokohen kur hapim 10 dritare Chrome, Microsoft ka krijuar një procesor kuantik të quajtur Majorana 1. Ky çip mund të kryejë llogaritje aq të komplikuara, sa një kompjuter normal do kishte nevojë për miliona vite për t’i zgjidhur. “Por prit, çfarë është një kompjuter kuantik?” Ndryshe nga kompjuterët klasikë që përdorin bite (0 ose 1), kompjuterët kuantikë përdorin kubitë, të cilët mund të jenë njëkohësisht 0 DHE 1. Kjo është si të shikosh një serial në Netflix dhe njëkohësisht të pretendosh që po studion – por këtë herë, funksionon vërtet! “Pse është kaq e rëndësishme?” Sepse nëse Microsoft ka të drejtë, ata mund të kalojnë përpara Google dhe IBM në garën për kompjuterin kuantik perfekt. Kjo do të ndryshojë gjithçka – nga dekriptimi i të dhënave deri te shpikja e barnave të reja. Me pak fjalë, nëse ky procesor funksionon siç thonë, jemi një hap më afër një të ardhmeje që duket si film fantastiko-shkencor!

Gordon Ramsay do të ulërasë më pak, falë Apple!

Nëse ke djegur ndonjëherë makaronat ose ke ngatërruar kripën me sheqerin, mos u shqetëso – Apple News+ Food është këtu për të shpëtuar reputacionin tënd në kuzhinë! Po, Apple tani po na mëson të gatuajmë! Me mijëra receta nga Bon Appétit, Food & Wine, Serious Eats, nuk ke më justifikim të bësh një makaronë që duket si një eksperiment i dështuar. Apple ka vendosur një “Cook Mode”, që eliminon dramën e zakonshme: nuk ka më scrolling me gishta të njomë nga brumi, ekrani nuk fiket, dhe të tregon hapat një nga një. Kështu që s’ka më raste ku ti harron të hedhësh vezën dhe përfundon duke bërë një bukë që mund të përdoret si armë! Gordon Ramsay s’do të të ulërasë më, por do të të thotë: “Well done!”… ose të paktën “Not a disaster!” “Recetat janë aty, tani vendimi është i yti!” Apple të dha mjetet… tani vendos: do bëhesh MasterChef apo do vazhdosh të bësh vezë të skuqura përjetë?

Nothing Phone 3a
“Asgjë… që ka gjithçka!” Nothing Phone 3a është gati këtu dhe ironia është që Nothing po bën shumë zhurmë me kamerën e tij gjigante! Po flasim për një sistem që pritet të ketë kamera 50MP + 50MP + 8MP, me një lente periskopike që të kap detaje edhe në anën tjetër të qytetit. Pra, nëse dikush të thotë “Më shiko në sy dhe thuaje!”, mund t’i bësh zoom nga 100 metra larg dhe t’i thuash “Ja, po të shikoj!”. “Dizajn që të bën të kthesh kokën! Ky telefon nuk duket si çdo tjetër në treg – kamera e tij është aq e madhe sa ndoshta mund të përdoret edhe si pasqyrë për të kontrolluar flokët. Ekrani? Pritet të jetë 6.7 inç me 3000 nits ndriçim, që do të thotë se edhe në diellin më të fortë, sytë e tu s’do të lodhen. Dhe, sigurisht, ekranin me 120Hz , sepse njëherë që mësohesh me një ekran të shpejtë, s’ka më kthim mbrapa. “Po performanca?” Brenda pritet të ketë një chip nga Snapdragon, ky është një çip që do ta mbajë telefonin të shpejtë dhe të qetë, edhe kur ke 50 aplikacione të hapura. Nothing thotë që ky është telefoni që e dallon nga turma – dhe me atë kamer gjigande, të paktën fizikisht, është e pamundur të mos dallohet!/TAR

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA