Nesër nis muaji i Ramazanit, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uron të gjithë besimtarët

28/02/2025 14:04

Besimtarët myslimanë në mbarë botë, nisin nesër më 1 Mars muajin e shenjtë të Ramazanit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uron të gjithë besimtarët për një muaj Ramazani sa më të paqtë e të begatë.

Nesër, më 1 mars, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, një muaj i bekuar reflektimi, përkushtimi dhe pastrimi shpirtëror.

Me zemrën plot mirënjohje ndaj Krijuesit të gjithësisë, i Cili na mundësoi ta arrijmë sërish këtë muaj të shenjtë, ju përcjell urimet më të përzemërta për një agjërim të lehtë dhe të pranuar, si në emrin tim personal, po ashtu edhe në emër të institucionit që unë drejtoj.

Ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar. Është një mundësi e artë për të shprehur falënderim ndaj Tij, për të kultivuar durimin, për të rivitalizuar lidhjen tonë me Kuranin Famëlartë dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve.

Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë. Ai na kujton përgjegjësinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit.

Në këtë muaj të shenjtë, le të forcojmë jo vetëm lidhjet tona me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin tonë më të ndjeshëm dhe më të bashkuar.

Allahu (xh.sh.) thotë në Kur’an: ‘O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.’

(Sureja El-Bekare, ajeti 183)

Ky mesazh hyjnor na rikujton se agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një proces i thellë shpirtëror, që synon ndërtimin e një personaliteti të qëndrueshëm, të devotshëm dhe të mbushur me vlera të larta morale.

Të dashur besimtarë shqipfolës, kudo që jetoni e punoni, uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë begati, paqe dhe harmoni në familjet tona dhe në mbarë shoqërinë.

Lusim Allahun Fuqiplotë që të na japë forcë, përkushtim dhe sinqeritet për ta jetuar këtë muaj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përfituar nga mirësitë dhe begatitë e tij të shumta. Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!”,-uron kreu i KMSH-së

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA