Konferenca për integrimin: Shqipëria synon që të anëtarësohet në vitin 2030 në Bashkimin Europian

28/02/2025 12:03

Në Tiranë është zhvilluar Konferenca e Komisioneve Parlamentare për Integrimin dhe Çështjet Evropiane nga ku kryetarja e kuvendit Elisa Spiropali ritheksoi se për Shqipërinë ka vetëm një korsi për ecur përpara dhe kjo korsi e ka emrin Bashkimi Europian.

“Shqipëria nuk ka asnjë plan B, por vetëm një plan A, anëtarësimin në Europë. Ndaj palët politike edhe pse nuk bien dakord për kalendarin e punimeve, janë në një mendje për integrimin e Shqipërisë. Shqipëria ka shpallur anëtarësimin në BE brenda vitit 2030. Përfundojmë procesin e negociatave brenda vitit 2027, është qëllim i arritshëm, është prioriteti numër një për vendin”, u shpreh Spiropali.

Jorida Tabaku, Kryetarja e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme shprehu mbështetjen e opozitës për integrimit, por ndau një shqetësim.

“Komisioni i Çështjeve Europiane ka qenë pararojë e shumë ndryshimeve për të rritur rolin e kuvendit, shpresoj të mos mbeten në letër, e nevojshme transparenca mbi politikat e qeverisë sa i përket pozicioneve negociuese. Opozita, PD beson se kjo është e ardhmja e Shqipërisë, por situata është e tillë që në pjesën më të madhe të diskutimeve nuk po ofrohet transparencë dhe gjithë përfshirje”, tha Tabaku.

Andre Rizzo shefi i Seksionit Politik në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri u shpreh se zgjerimi i BE-s do të thotë  bashkim, forcimin dhe zhvillimin i përtejshëm i saj, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre Shqipërinë.

“Mbrojtja dhe siguria gjithashtu duhet të jetë një qëllim i përbashkët. Kështu mund të përballojmë edhe krizat, nëpërmjet bashkëpunimit, si kriza e luftës në Ukrainë-Rusi, apo ato të ndryshimeve klimaterike. Bashkëpunimi rajonal është transformues, ndihmon paqen dhe stabilitetit. Kjo është edhe arsyeja pse BE mbështet zgjerimin”, shtoi Rizzo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA