
Pas denoncimit në Top Channel për një tender të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë me fitues të paracaktuar për blerjen e disa barnave inovatore në një vlerë prej afro 9.3 milion euro nga ku 8.5 milion i kalojnë kompanisë farmaceutike Rejsi Pharma, Ministria e Shëndetësisë tha se kërkesat për këto barna kishin ardhur nga shefat e shërbimeve në QSUT.
Top Channel iu drejtua me një shkresë zyrtare drejtorisë së Qsut ku i kërkoi të na vinte në dispozicion listën e kërkesave për barna të bëra nga shefat e shërbimeve para datës 2 dhjetor 2024, kur u shpall tenderi i shumëpërfolur.
Tanimë ka ardhur një përgjigje e Drejtorisë së QSUT e cila së pari nuk vë në dispozicion asnjë listë me kërkesa për barna inovatore që kanë bërë shefat e shërbimeve.
Dhe po kështu në përgjigjen zyrtare që kthen duket qartë se drejtoria e QSUT ia ngarkon përgjegjësinë ministrisë për këtë tender kur shprehet: Sqarojmë se, nga QSUT nuk është zhvilluar procedurë prokurimi për blerje barnash të reja. Procedurat e zhvilluara nga QSUT janë vetëm për listën e barnave spitalorë të cilat i gjeni të publikuara në APP.GOV.AL. duke e lënë kështu topin në Ministrinë e Shëndetësisë.
Po kështu as Ministria e Shëndetësisë nuk e bën publike listën me kërkesa për barna inovatore që sipas saj e kanë bërë shefat e shërbimeve në QSUT.
Po përse mbahet e fshehtë kjo listë? Perse nuk bëhen publike kërkesat e shefave të shërbimit në QSUT për barna? Përse Ministria e Shëndetësisë përzgjodhi barnat inovatore me vlerë 9.3 milionë euro për t’i tenderuar kur dihej kush do të ishte fituesi në një kohë që në QSUT ka nevoja për barna shumë më bazike?
Top Channel iu drejtua zyrtarisht sekretarit te përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Lavdrim Sahitaj të na tregonte emrat e anëtarëve të komisionit që vlerësuan apo selektuan për cilat barna të shpallet tenderi. Por as lista me kërkesat e shefave të shërbimeve dhe as emrat e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të barnave nuk na u bënë të ditur duke e trajtuar si sekret shtetëror. Janë këta anëtarë bashkë me zotin Sahitaj të cilët kanë vendosur që në fund të vitit t’i jepnin Rejsi Pharmes 8.5 milion euro për një tender me fitues të paracaktuar.
Top Channel