
Të tjera detaje zbardhen në lidhje me sherrin e dhunshëm mes adoleshentëve të martën e kësaj jave në Tiranë.
Në konfliktin e dhunshëm në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” janë përfshirë nxënës të këtij institucioni arsimor dhe një nxënës i shkollës “Vasil Shanto”.
Në pamjet e siguruara nga gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo, të martën pas mësimit duket njëri prej fëmijëve me rripin në dorë që ndjek nxënësin tjetër. Uniformat blu, të pyetur nga Top Channel, thonë:
“Për rastin e Emin Duraku, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka kryer të gjitha veprimet. Kemi dy ditë që po bëjmë veprime. Sot ishim në një takim dypalësh mes shkollës Emin Duraku dhe Vasil Shanto, prej orës 13:00 deri në 16:00, me nxënësit e përfshirë në konflikt dhe prindërit e tyre. Janë marrë kamerat dhe çdo informacion. Është bërë një punë e përsosur nga SPZ-të e dy shkollave, oficerët e sigurisë, drejtorët e dy shkollave, psikologët dhe prindërit, me gjithë nxënësit e përfshirë për të parandaluar konfliktin më tej.”
Më tej në reagim thuhet se për zgjidhjen e konfliktit është kërkuar kujdes i veçantë dhe nga drejtori i përgjithshëm i Policisë Ilir Proda dhe drejtori i Tiranës Elton Alushi.
Për rastin, Top Channel mëson se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 6 të mitur të moshave 15 dhe 16 vjeç, pasi kanë goditur një 14-vjeçar.
Top Channel