
Në nisje të komunikimit të sotëm me qytetarët, Kryeministri Rama, zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, i cili raportoi lidhur me përgatitjet për panairin e punës që do të çelet në Athinë më 2 mars.
Në vijim, kryeministri Rama pati sërish një ndërhyrje telefonike lidhur me një tjetër panair të rëndësishëm që do të mbahet në Berlin.
Ministri Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja: Është një panair ku janë deri tani mbi 110 subjekte shqiptare që janë, disa prej tyre lider të investimeve në shumë fusha, agjenci punësimi së bashku me ente, dhoma biznesi, inovatorë, sipërmarrës IT, artistë, punëtorë, ekspertë.
Kryeministri Edi Rama: Janë këta operatorët turistikë shqiptarë bashkë me kompanitë e ndërtimit?
Ministri Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja: Patjetër, ka promotorë të turizmit, ka korporata, ka drejtues- CEO të zinxhirëve të hoteleve me 5 yje, ka pastaj dhe agjenci dhe institucione shqiptare që janë të specializuara për punësimin. Të gjithë këta do i mirëpresin atje vizitorët, bashkëatdhetarët tanë me lajme të mira, me kontrata konkrete pune ne 2 mars gjatë gjithë ditës.
Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë, website-n do ta lançojmë dot atje, do jetë gati për ta lançuar në panair në Athinë?
Ministri Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja: Po dhe jo pa qëllim vetë panairi emërtohet “puno dhe jeto aty ku ke zemrën’’ sepse për herë të parë qeveria shqiptare i dedikon diasporës dhe një website të ri në kohë reale mbi ofertat e punësimit në sektorin privat por edhe publik dhe e kemi thjeshtuar në domainin migrant.puna.gov.al ose punonëshqipëri.gov.al
Janë dy, në mënyrë që të jenë në të dy krahët të aksesueshëm ku ofrojmë informacion të vlefshëm pra për integrimin dhe programet mbështetëse mbi familjen, strehimin, formimin profesional, start-up, apo fillimin e një biznesi dhe të gjitha aspektet sociale.
Kryeministri Edi Rama: Isha me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Kemi një panair ta madh në Athine në 2 mars në një dite të gjatë me shumë aktivitete ku synojmë të vëmë në kontakt të drejtpërdrejtë shumë kompani shqiptare të Shqipërisë në ndërtimi, në turizëm, në inovacion bashkë më bashkatdhetarët tanë në Athinë dhe më gjerë mbase, po fillimisht në Athinë dhe gjithë materiali do te jetë pastaj në dispozicion dhe në një faqe web online, ku të gjithë do të mund të hyjnë dhe të shikojnë mundësitë që janë për të lidhur kontrata pune në Shqipëri, qoftë kontrata pune sezonale për turizmin, qoftë dhe kontrata pune gjithëvjetore qoftë në turizëm, qoftë në ndërtim, qoftë edhe në fusha te tjera. Sfida është që të thyejmë këtë stereotipin sipas së cilit në Shqipëri pagat janë shumë të ulëta, në Shqipëri mundësitë janë të pakta, në Shqipëri la-la-la. Dhe natyrisht ta thyejmë stereotipin më fakte konkrete, me pasqyra konkrete që janë të aksesueshme dhe në të cilat mund të shihen kontratat, modelet e kontratave, kushtet e kontratave kështu që besoj që do të jetë një fillim i mbare. Natyrisht është vetëm hapi i parë. Ne, këto panaire do t’i bëjmë traditë në muajt dhe në vitet e mandatit të katërt sepse do ta lidhim shumë fort gjithë procesin e negociatave për anëtarësim me procesin e nxitjes së kthimit për të investuar apo për të punuar këtu në Shqipëri dhe kur flas për kthim, kam parasysh jo vetëm ngritjen e plaçkave dhe kthimin përfundimtar por edhe kthimin e pjesshëm, por edhe investimin këtu duke qëndruar atje, pra të gjitha format e mundshme të kthimit sepse në të gjitha rastet, unë besoj, duke u nisur nga shembujt, do të jetë një përfitim reciprok qoftë për ata që kthehen ose ata që investojnë kursimet e tyre këtu, qoftë për vendin që do të përfitojë nga eksperienca ose nga investimi i tyre këtu.
Ndërkohë kemi filluar.
“Kur do përfundojë hyrja e Shkodrës?”
Hyrja e Shkodrës është në proces. Kemi pasur një procedurë jo të lehtë dhe jo dhe aq të shpejtë për arsye teknike me shpronësimet. Gjithçka është gati, projekti është fantastik dhe Shkodra më në fund do të behet qytet siç i ka hyje, me hyrjen siç i ka hije sepse deri më sot ka qenë e fshehur pas një hyrjeje katastrofike dhe krejtësisht të padenjë për emrin dhe reputacionin e Shkodrës.
Bisedë telefonike:
Kryeministri Edi Rama: Alo. Po, se jam live këtu, më thuaj.
– Ndjese, po merrem një çikë me axhendën e panairit të Berlinit dhe ju do rrini vetëm një ditë e gjysmë ndërkohë që kemi një kërkesë shumë të madhe për t’ju takuar dhe ju nga disa prej CEO-ve më të rëndësishëm të agjencive turistike; TUI, aeroporti i Dyseldorfit dhe do të duhet ndoshta t’ju pres që të mbaroni live-n për të folur.
Kryeministri Edi Rama: Ok, po si po shkon ajo? Ne rregull jemi me te gjitha aty se ne duhet të shkojmë, domethënë ne kemi panairin e punës në datën 2 në Athinë dhe pastaj në datën 3 është hapja në Berlin, po?
– Data 3 është hapja në Berlin me një konferencë shtypi gjigande dhe pastaj kemi ceremoninë e hapjes.
Kryeministri Edi Rama: Konferenca e shtypit është gjigande se ne jemi vendi i nderit, domethënë është hapja e përgjithshme apo jo?
– Domethënë Shqipëria këtë vit është vendi i nderit i panairit po duhet të kemi parasysh që është panairi më i madh në botë dhe për shembull për t’ju thënë që vitin që vjen, vendi i nderit do jenë Maldivet kështu që.. dhe përzgjedhja është bërë nga ata, ndryshe nga ku zakonisht aplikon vendi që do ta ketë këtë status. E kanë bërë ata që në 2023 kur panë performancën e Shqipërisë. Praktikisht kanë ndjekur të gjithë shifrat se si ka ecur edhe në ekonomi, edhe në shifra të vizitorëve. Për t’ju dhënë një ide se sa e madhe është, për shembull që aty marrin pjesë rreth 200 shtete dhe rajone të botës; TAMI, 150 mijë pjesëmarrës , rreth 6000 ekspozues. Në konferencën e shtypit që praktikisht ju do keni të hënën në mëngjes në datën 3, do të ketë mbi 5000 përfaqësues mediash, gazetarë, blogerë pra është vërtete një ndërmarrje gjigande dhe një përgjegjësi shumë e madhe për të gjithë ne, por po shkojmë me një ekip, praktikisht teknike ka shkuar, ka filluar ndërtimi i stendave se do të kemi po një stendë gjigande me rreth 100 pjesëmarrës operatorë që vijnë nga Shqipëria; agjenci udhëtimi, hotele me 5 yje, agroturizma, llojet e turizmit që kemi kulinar, do të kemi dhe një ofertë të madhe kulinare me një nga shefat shqiptarë më të mirë të kuzhinës për rreth 3000 pjesëmarrës, pra do jenë 4 ditë, 3 deri në 6, ku gjithë Berlini brendohet, domethënë reklamohet Shqipëria nga gjithë anët, dhe në panair dhe në qytet. Është vërtetë një shans i jashtëzakonshëm po janë gjithë performancat e Shqipërisë dhe kërkesat për takime janë.. na duhet dita 48 orë, jo 24.
Kryeministri Edi Rama: Mirë dakord. Ndërkohë po përsa i përket atyre takimeve, tani ça të bëhet brenda harkut të kohës që unë mund të rri sepse nuk dua të rri më gjatë.
– Jo, e kuptoj. Ok. Ditë të mbarë.
Kryeministri Edi Rama: ja, urdhëro tani! Po mirë mo, si ka mundësi, po jeni seriozë apo ça jeni? Që në mëngjes “narkoregjimi i Edi Ramës është i mbarur. Thjesht pritet që sherifi i ri në Uashington të japë urdhrin, por ky po përpiqet të fitojë mbështetjen e qarqeve shoviniste anti helene duke nxitur urrejtje etnike dhe fetare kundër helenëve por fundi i tij i turpshëm në datën 11 maj është i pashmangshëm’’- Aleksandros Ziulis.
Tani ti je shqiptar apo çfarë je se shqip shkruan por ndërkohe emrin nuk e ke shkruar shqip. Tani këto jashtë nxjerrje këtu që me mëngjes, sikur t’ia kursenit vetes se për mua nuk ka problem se unë për ju dhe për këto rroj edhe 1000 vjet të tjera, janë të tjera hallet e mia dhe janë të tjera sfidat e mia por sikur t’ia kursenit vetes. Goxha burra. Disa nga ju në fakt nuk janë as burra, janë profile falco pas të cilave fshihen disa “bura” të tjerë. Po çfarë bëni kështu mo?
“Aeroporti i Kukës, naftën në Shpirag. Na jep ndonjë shpjegim”. Çfarë shpjegimi do, për shembull? Shpjegimi është ky. Aeroporti i Kukësit është aty i ndërtuar dhe operatori i aeroportit është duke vonuar për të lidhur disa kontrata sepse është histori kontratash, është histori marrëdhëniesh private kjo, miku im. Sa i përket naftës në Shpirag, siç e ke marrë vesh ose nuk e ke marrë vesh, një nga kompanitë më të mëdha të botës ishte aty në operim, në eksplorim, u zbulua një rezervë shumë e madhe nafte,por për arsye të gjeologjisë jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe të masivit gjeologjik të Shpiragut, kostoja e nxjerrjes me teknologjinë ekzistuese të kompanisë bëhet shumë e lartë kështu që jemi duke punuar për zgjidhje të tjera. Të shikojmë por mos u gëzoni kur diçka e mirë për Shqipërinë vonohet. Mos u gëzoni se nuk është çështja tek unë. Për mua Shpiragu nuk është dollapi i shtëpisë sime, është një pasuri kombëtare e përbashkët për sot, për nesër, për pasnesër kështu që mos u gëzoni.
Ç’e keni këtë zakon që ju ka mësuar bufi i kënetës që gëzoheni kur diçka e mirë për Shqipërinë vonohet ose nuk ndodh? Këtë nuk kuptoj se jeni prindër, jeni djem nënash, jeni bijë baballarësh, jeni vëllezër motrash. Mos u gëzoni se është turp i madh kjo e kuptoni apo jo?
Po po… thotë Kreal Kreal. Po pse e ke vënë Kreal Kremal, pse nuk e ke vënë Kuak-Kuak-Kuak?
“Ne jemi akoma me fanarë ndriçues në brigjet e Benedikut. Marsh nga ditët e këtyre të pranishmëve sulltani”. Po ti ku je? Nuk je i pranishëm apo ti futesh këtu dhe përpiqesh të krijosh pak hilaritet me të pranishmit? Të ka zënë frika po erdhi në pushtet, e dini vetë se unë nuk ja zë as emrin”. Kush të vijë në pushtet, bufi i kënetës? Ah i shkreti unë, më ka zënë frika. Ku e sheh ti, për shembull, që më ka zënë mua frika dhe për çfarë më ka zënë frika? E di për çfarë më zë frika mua? Më zë frika që koha që kemi në dispozicion të mos shfrytëzohet maksimalisht sepse që të jemi shumë seriozë tani sepse këto komentet vl, venë e vijnë, por që të jemi shumë seriozë, Shqipëria sot është në një oportunitet historik, kemi një dritare të hapur për të hyrë në Bashkimin Europian, dritare e hapur për herë të parë, e hapur si rezultat i përputhjes së rrethanave tona me rrethanat e Bashkimit Europian, është një dritare që është e hapur për ne por që nuk do jetë e hapur aty pafundësisht dhe ne duhet të shfrytëzojmë këtë moment, duhet të shfrytëzojmë këtë kohë ,duhet të mbyllim negociatat deri në fund të 2027 siç kemi bërë planin dhe duhet të hidhemi brenda që kur të mbyllet dritarja ne të jemi brenda në Bashkimin europian përfundimisht dhe pa kthim të fitojmë atë statusin e munguar prej shumë e shumë vitesh të të barabartëve mes të barabartësh në kontinentin ku Zoti na ka vënë në një vend të mrekullueshëm por historia na ka privuar në mënyrë të vazhdueshme nga marrja pjesë në këtë kontinent në anën e mirë të tij. Na ka privuar duke na vënë mbi kokë lloj-lloj regjimesh, lloj-lloj satrapësh, lloj-lloj hajvanësh. Natyrisht që kjo ka qenë një histori e gjatë poshtërimi, poshtërimi në breza nga të huaj dhe nga vetja. Unë them më shumë nga vetja se nga të huajt por kjo është temë tjetër. Tani ky është momenti për të menduar si shqiptarë o Krak-Krak-Kre-Kre, si e ke emrin ti, për të menduar si shqiptarë.
Fajton Bejleri “Të gjithë ministrat e tu janë pas hekurave por ti ende jo. Ose je mjeshtër i mashtrimit ose drejtësia nuk ka ardhur tek ti por mos u gëzo shumë sepse asnjë tradhëtar nuk shpëton përgjithmonë”. Po çfarë kam tradhëtuar unë, për shembull, Fatjon? Apo se Shqipëria sot është vetëm një hap nga realizimi i një ëndrre shekullore? Po kthehem tek ti për pak, por unë po thosha që duhet menduar si shqiptar në këtë moment, nuk duhet menduar as si socialist, as si demokrat, nuk duhet menduar as më pëlqen as nuk më pëlqen Edi Rama, as sa ministra janë në burg e as sa ministrja s’janë në burg e as sa ministra nuk janë në burg sepse po të jetë puna aty, mund ta bëjmë llogarinë; në tre mandate kanë qenë rreth ose 60 ministra, numërojini pak. Dy ministra janë dënuar nga mandati i parë, njëri i Partisë Socialiste, njërit i aleatit strategjik ndjesë pastë partia aleate strategjike, pastaj një i tretë në paraburgim sot e gjithë ditën por i padënuar ende që prezumohet i pafajshëm sipas drejtësisë europiane dhe një i katërt në arrati, zëvendës kryeministri. 4, ok?
Tani, nëse sot juve, ti Fatjon dhe Kuak-Kuak-Kuak dhe Kra-Kra-Kra flasin për luftë kundër korrupsionin, për ministra dhe njerëz të lidhur me pushtetin të hetuar dhe në gjykim apo të gjykuar, e dini pse ju erdhi dita juve të flisni? Sepse këtë ditë e solli Partia Socialiste e Shqipërisë, këtë ditë e solli kjo forcë qeverisëse, këtë ditë e solli kjo vendosmëri, këtë ditë e soli kjo ambicie dhe ky vizion për të hyrë në Bashkimin Europian kështu që fokusohuni tek kjo, fokusohuni tek ky mision patriotik, lërini broçkullat dhe mos humbni kohë me kënetën dhe llumin e kënetës por fokusohuni tek ky mision historik.
Kryeministrat venë dhe kryeministrat vijnë, dakord? Mua do më duhet të rri dhe pak, dakord, të rri dhe pak sepse duhet ta përmbush dhe ta përmbushim këtë mision. Nuk mund të luajmë me fatin. E kemi krijuar këtë fat por dhe na është krijuar ky fat nga rrethanat e Europës kështu që fokusohu Fatjon, fokusohu Kreal Kra-Kra, fokusohu Alexandros Julis, fokusohuni të tërë tek ky mision.
Është momenti për të marrë hap për të gjithë poshtërimet që i janë bërë në breza kombit shqiptar, popullit shqiptar, e thashë dhe njëherë, nga të huajt dhe nga vetja, më shumë nga vetja se nga të huajt por sot hakmarrja ka emër, ka destinacion, ka një mision që quhet Shqipëria në Bashkimin Europian, Shqipëria anëtare ne Bashkimin Europian. Tjetër është të lëvizësh me pasaportën shqiptare në BE e tjetër është të kesh një pasaportë të BE-së, tjetër është të jesh një fëmijë shqiptar në Europë dhe tjetër është të jesh një fëmijë shqiptar në BE, tjetër është të jesh një vajzë dhe një djalë që studion në BE dhe je nga Shqipëria dhe tjetër është të jesh një vajzë dhe një djalë që studion në Shqipëri dhe je nga BE-ja. Pra, ju lutem shumë fokusohuni tek kjo, ky është misioni ynë. Lërini këto të tjerat, të gjitha i merr era fjalët dhe këto komentet.
Mund të vazhdoni të bëni sa të doni nga këto, por i merr era, janë kot, janë humbje kohe, janë turpe, janë turpe për ju për veten tuaj që hapni Facebook dhe jashtënxirrni fjalë fyese, jashtënxirrni fjalë palidhje bëheni zëdhënës të kënetës, bëheni papagaj, gjinkalla dhe inskte të kënetës lërini këto. Mendoni si shqiptar, mendoni si patriot, mendoni si njerëz që kanë fatin të jetojnë në këtë moment ku me një kontribut të tyre mund të shtyjë Shqipërinë përpara dhe mund të fusin Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe vetëm me këtë forcë politike dhe me asnjë tjetër, se të tjerat nuk janë forca politikë. Ët tjerat nuk janë forca politike, të tjerat janë çeta, të tjerat janë grumbullime njerëzish, të tjerat janë fyerje ambiciesh apo shfryrje inatesh. Nuk janë inatet programe, nuk janë mllefet programe, nuk janë luftërat personale programe, nuk të çojnë asgjëkundi nga ato janë bërë historikisht çorap shqiptarët, okay. Kështu që them se është mirë të fokusohemi tek gjërat që vlejnë.
O gjigand 12 vite- kryeministër kapaku, timoni, kusia, këneta, nuk të ka mbet fije krypet..
Kryeministri Edi Rama: Edmond të gjitha këto janë fjalë shqipe, edhe kapaku, edhe timoni, edhe kusia edhe këneta dhe janë fjalë shqipe që tregojnë thelbin te i cili duhet të fokusohesh ti për shembull, sepse zgjedhja që ke në 11 maj është midis BE-së dhe kënetës. O me ne në BE o me bufin në kënetë. Me bufin në kënetë e ke të sigurt që je me humbsat, e ke të sigurt që s’ke asnjë sadisfaksion po mbi të gjitha me bufin në kënetë do hysh në borxh me veten si shqiptar, do hysh me familjen tende, do hysh në borxh me nipat e mbesat, nëse ke nipa dhe mbesa akoma. Do hysh në borxh me prindërit e tu, e di pse? Se të gjithë atyre u duhet Shqipëria në BE dhe pa jap edhe një sqarim tjetër për Shqipërinë në BE, që të jeni të qartë të gjithë ju që mendoni se kjo nuk na duhet e që BE-ja ka vdek ose që Europa ka marrë fund ose që bla, bla, bla. Përveç se me Shqipërinë në BE ne garantojmë tre gjëra nuk garantohen askund dhe që për ne kanë qenë halli i madh, dhimbja e madhe e historisë. Garantojmë që mos të ketë më mungesë të lirisë individuale dhe liria individuale të jetë e garantuar në të gjitha format dhe në të gjitha drejtimet. Garantojmë që sundimi i ligjit të mos jetë më në diskutim dhe të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe garantojmë që standardet demokratike të jetesës, të bashkëjetesës, të mos i prekë më askush. Por nga ana tjetër në BE ka dy kategori shtetesh, është një kategori që janë kontribuuesit, pra shtetet më të mëdha, më të zhvilluara , më të vjetra në BE dhe është një kategori tjetër që janë përfituesit, ata që hyjnë më ët rinj, më të bisht. Dhe në momentin që një shtet i ri hyn dhe bëhet anëtar i BE-së ai hyn te përfituesit, që do të thotë që kontribuuesit japin – përfituesit marrin, është si një familje ku për shtetet në kategorinë e përfituesve ka mbështetje financiare ekstra që as nuk e arrijmë dot ne ta kemi dhe ta realizojmë jashtë Bashkimit Europian. Kështu që është edhe kjo pjesë që do të thotë shumë më tepër projekte në infrastrukturë, shumë tepër programe zhvillimi, shumë më tepër mbështetje për kërkimin shkencor, për universitet, për arsimin. Shumë më tepër mbështetje për kulturën, shumë më tepër mbështetje për informacionin dhe këto janë fjalë e vërtetë, po të gjitha këto janë BE-ja, kështu që fokusohuni, fokusohuni se dritaren mezi e kemi hapur. Jemi gati të bëjmë kapërcimin e madh historik epokal. Është ngritja e dytë e flamurit, është ngritja e dytë e flamurit, kjo e hyrja së Bashkimin Europian. Është pavarësia e dytë e Shqipërisë. Prandaj iu lutem lërini broçkullat dhe fokusohuni, ju që funksiononi si gjinkallat të kënetës apo jeni mbas profileve false.
Ore Ramazon, kokaina, boll me mashtrime, populli s’beson. Di që kjo video është bërë para tre vjetësh
Kryeministri Edi Rama: Cila video është bërë para tre vjetësh. O të morsha të ligat unë ty
Oh po Mecgonigali, Sorosi, Yuri Kimi, Sinaloa
Kryeministri Edi Rama: Ty të paska bo këneta, të paska mbështjellë komplet, e di si janë të mbështjellme ato vemjet. Kështu të paska mbështjellë këneta ty vëlla, s’duhet të jesh as njeri real, të shof duhet të jesh nga ato profilet falso të kënetës. Vazhdo vazhdo, s’ka asnjë problem.
Viti 2025 plako falsim akoma për ujin, as 24 orë jo.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo tani, më hape një temë që më pëlqen shumë. Në vitin 2025 ne flasim për shumë gjëra dhe nëse ty nuk të pëlqen që ne flasim për ujin, unë po të kujtoj që kjo nuk është e lidhur me ne, dakord. Sepse Shqipëria ujë 24 orë në 2013 ku kemi marrë detyrën ka patur vetëm në 4 zona. Në 4 zona 24 orë ujë. Sot ka në 43 zona urbane dhe në 98 zona rurale 24 orë ujë. Natyrisht që ka akoma zona të tjera ku duhet shtuar furnizimi. Domethënë në 4 zona ka pasur ujë Shqipëria që ne trashëguam dhe po të them edhe një gjë tjetër që as në kohën e komunizmit Shqipëria nuk ka pasur ujë 24 orë kudo. Madje në kohën e komunizmit në shumë lagje jashtë Tiranës, uji ka qenë në një çezme në lagje që ta dish ti, uji i pijshëm, që shkonin e mbushnin te çezma në lagje. Kështu që të kesh një shtet me 24 orë ujë në të gjithë territorin e vet është të besh një shtet më vete përsa i përket investimeve dhe prandaj flasim ne. Tani bëmë gabim ne që i bëmë këto dhe është më mirë ti kishim lënë fare që mos të flisnim fare, ta quanim që s’ka dhe pikë mbaroi muhabeti apo ne bëjmë shumë mirë që flasim edhe flasim ato që bëjmë dhe ndërkohë ti që thua që këta bëjnë be, be, be pas meje mos e harroj që në fakt shumica e popullit shqiptar është mbas meje, në mbështetjen time dhe të Partisë Socialiste. Pikërisht sepse populli nuk ka kohë të harxhojë që në pikë të sabahut duke hapur telefonin dhe duke jashtë nxjerre fjalë të tilla, edhe duke jashtë nxjerre budallaqe të tilla, a më kupton. Kështu që të jemi të shumë qartë, 4 zona kishte me furnizim 24 orë me ujë kur ne morëm detyrën, 43 janë sot urbane, 98 rurale. Tirana në 67 % të territorit të vet dhe flasim për Tiranën e madhe, pas reformës administrative, jo për bashkinë e vogël të Tiranës. Tirana ka në 67 % të territorit 24 orë ujë dhe kjo me faturat dhe matëset e ujit, jo me fjalët e mia. Në pjesën tjetër ka 17 orë mesatarisht ujë dhe vazhdojnë akoma investimet se ndërkohë vazhdon dhe rritet qyteti, rritet kërkesa, rritet nevoja. Kështu që patjetër flasim për këtë. Do të flasim pak edhe për dritat dhe energjinë elektrike për shembull, ee të kujtohet ty apo je profil falso. Po kushdo qofsh mbrapa këtij profilit të kujtohet kur morëm ne detyrën se si ecej nëpër Tiranë, nuk llogaris qytetet e tjera, hap e gjenerator që më shumë prodhoheshin drita me naftë sesa me korrent, të kujtohet kjo ty, apo s’të kujtohet. Të kujtohet që 50 % e miletit nuk paguanin dhe e vidhnin energjinë eklektike dhe 50 % paguanin dhe për ta. Dhe e dini çfarë ka rezultuar që është shumë interesante? Shumica e atyre që paguanin ishin fiks ata që votojnë PS, budallenj të mëdhenj ne me një fjalë, në thonjëza. Budallenj të mëdhenj ne që hapim luftën kundër korrupsionit siç nuk e ka bërë kurrë ndonjëherë, që bëjmë një reformë në drejtësi që kush asnjëherë s’ka guxuar ta bëjë prej 1912, që i japim shpatën në dore, shpatën e pushtetit politik që deri dje therte në fyt drejtësinë, ia dorëzojmë drejtësisë që të godasë edhe mbi trupin tonë sepse ne jemi këtu për të bërë Shqipërinë shtet, për të bërë Shqipërinë me drejtësi. Nuk jemi këtu për të kontrolluar drejtësinë dhe për ta lënë Shqipërinë jashtë BE e jashtë shinave të historisë. Dhe tani çohesh ti zotërote me shokët e tu të kënetës dhe na tregoni ju hajdutët, na tregoni ju burgun, na tregoni juve se kush do hyjë e kush do dalë nga burgu. A e kuptoni ju se sa larg realitetit dhe sa larg gjithë përpjekjes që unë së bashku me PS po bëjmë, jeni apo jo?
A e kuptoni se si ju ka marrë bufi i kënetës ju ka bërë si insekte që s’dini fare çfarë flisni, apo jo? A e merrni vesh apo s’e merrni vesh? Por gjithsesi jeni pakicë.
“Duhet parkim te blloku se kemi shtëpitë”.
Miku im, nuk e di ekzaktësisht pse po ma thua këtë, por nëse e ke fjalën për bllokun këmbësor, blloku këmbësor është në radhë të parë mirësia e atyre që banojnë aty dhe e atyre pastaj që do ta shijojnë atë territor. Ndërkohë, sigurisht për të gjithë ata që kanë shtëpitë aty dhe që kanë parkimet nëntokësore tek pallatet do mund të kenë një kartë të veçantë për të hyrë në parkimet e tyre nuk diskutohet, siç bëhet në gjithë botën. Ndërsa të tjerët duhet të ecin pak, na duhet të bëjmë parkime nëntokësore të tjera. Edhe në sheshin “Nënë Tereza” kemi plan të bëjmë një parking të madh nëntokësor. Dhe aty mbas Akademisë së Arteve projekti është gati dhe do fillojë parkimi nëntokësor. Kështu që, janë gjëra që i kemi mirë parasysh.
Komisioni i prokurimit publik! Komisioni i prokurimit publik është një nga strukturat më të vlerësuara nga BE dhe në prokurimin publik Shqipëria është në vendin e parë në rajon me 80 pikë dhe i dyti ka 71, të tjerët janë nga 50 dhe nën 50 pikë që ta dish. Kështu që, në këtë pikë jam shumë krenar për punën që kemi bërë me transformimin e prokurimeve publike.
“Na fol pak për zhvillimet në Amerikë, për raportet me Sorosin dhe lidhjet e tua me agjendat Ëoke oh vdeksha unë për ty.
Prit ta shoh pak: Jam shqiptar – thotë. I mësove agjendat Ëoke? Çfarë do të dish ti për shembull për Amerikën? Çfarë do të dish për marrëdhënien me Sorosin? Ku e ke apo ta kanë marr dhe ty trurin peng edhe të fusin çdo ditë gjilpërën me llum kënete në kokë?
Na fol pak për agjendën në Amerikë? Do ta shihni dhe Amerikën, mos ki merak. Do ta shihni dhe Amerikën dhe marrëdhënien me Amerikën edhe mbështetja me Amerikën. Të gjitha do i shikoni siç i keni parë, por nuk mbani mend se ky është problemi se e keni kujtesën e dobët dhe ju mban këneta peng. Se ju kujtohet kur fitoi Donald Trump herën e parë që mu çuan mua në parlament më thanë : ik vet tani se do vijë Donald Trump këtu të të marrë zvarrë? Ju kujtohet? Si vazhdoi pastaj puna apo kismet?
“Mos iu përgjigj shpellarëve”
Tani unë nuk i ndaj njerëzit në “qytetar” dhe “shpellar” dhe unë nuk i konsideroj ata, të cilëve ju flas këtu si armiq apo si kundërshtarë të mitë. Ata që dalin këtu dhe flasin në emër të kënetës janë shqiptarë si gjithë të tjerët dhe i respektoj si shqiptarë dhe përpiqem t’i ndihmoj si shqiptarë për t’i nxjerrë nga këneta.
T’i ndihmoj me opinionin tim, t’i ndihmoj me faktet. T’i ndihmoj duke iu treguar se mbi mua dhe mbi ta dhe mbi ne në të gjithë është Shqipëria. Dhe interesi Shqipërisë sot cili është? Të kthehet në kënete? Po e parafytyroni një sekondë, vetëm një sekondë parafytyroheni Shqipërinë të përfaqësuar nga bufi i kënetës. Kështu që, në këtë sens nuk ka fare rëndësi a ju pëlqej a s’ju pëlqej unë, a ju pëlqen a s’ju pëlqen PS. PS është partia më e madhe shqiptare. Është partia që ka fituar 9 herë radhazi. Është partia që do fitojë herën e dhjetë dhe do fitojë më thellë se herët e tjera dhe do marrë notën 10 në këto zgjedhje. Edhe falë emigranteve, jam i sigurtë për këtë, por të shohim se do jetë shumë interesant se çfarë do thonë pastaj. Me siguri do thotë që vajtën i blenë dhe emigrantët, nuk diskutohet. Sepse këneta karakterizohet nga pafytyrësia por në fund të ditës përtej PS është Shqipëria. Shqipëria është përtej të majtës dhe të djathtës, Shqipëria është përtej partive, Shqipëria është përtej simpative dhe për Shqipërinë duhet sot një votë për këtë forcë politike. Duhet sepse kemi 1000 vetë që po negociojnë për BE. E parafytyroni ju që të ndalojnë negociatat dhe të hyjnë zhabat, bretkosat, gjinkallat në negociata. A e kuptoni ju ku shkon Shqipëria apo jo? Që të jemi të qartë!
“Ah si jemi katandisur. Nga kush jemi qeverisur. Jemi bërë më keq se gazeta Charlie Hebdo”
Charlie Hebdo është një institucion fantastik i lirisë dhe i demokracisë ti Sandër. Se mbase nuk e di fare se për çfarë flet. Ndërkohë që si jemi katandisur ne si vend? Ne jemi katandisur aq keq sa në dy vjet e pak mbyllim negociatat me BE dhe brenda mandatit të katërt të PS i japim fund një historie shekullore poshtërimesh dhe e bëjmë Shqipërinë anëtare të BE në 2030. Ja kështu jemi katandisur ne Sandër. Kështu që, fokusohu. Fokusohu edhe mos e lër veten në dorë të kënetës.
“Deri para disa kohesh e injoroje totalisht sikur të mos ekzistonte. Tani të ka kapur frika”.
O ti njeri, fokusohu. Na duhet të fokusohemi në negociatat me BE. Kemi 1000 vetë qe punojnë çdo ditë për këto negociata. Kemi hapur dritaren e një mundësie fantastike që duhet t shfrytëzojmë. Është si ato rastet që të vjen topi përpara portës dhe duhet të besh golin, dakord? Kështu që, duhet të shfrytëzojmë këtë mundësi dhe mos harroni dhe një gjë tjetër se e kam thënë me kohë. Kur vjen fushata se ka ardhur fushata tani patjetër që unë flas.
Kam folur për tepsinë, kam folur për haxhinë, për timonin. Tani e kam me kënetës se këneta është kaq evidente dhe bufi i kënetës është kaq evident saqë do ndihmoj kë të mundem që ta shikoni dhe të ikni me vrap nga rreziku i zhytjes në kënetë. Kuptove?
Bonusi fillon. Bonusi për pensionistët fillon më 1 mars dhe pensionistët mund të fillojnë nga 1 marsi ta marrin bonusin e pranverës. Bonusi i dytë në më pak se 6 muaj, është rezultat i zhvillimit, është rezultat i rritjes së ekonomisë. Dëgjoni t’iu them diçka interesante që flet për sesa gabim i bën të flasë këneta ndjekësit e vetë, kur vjen puna tek ecuria e ekonomisë edhe te rritja e fuqisë blerëse të shqiptarëve dhe rritja e aksesit të shqiptarëve në ekonomi.
Ka një shifër interesante që doja ta ndaja me ju. Në vitin 2016 aksesi në aviacion i rezidentëve në Republikën e Shqipërisë ka qenë 6.7%, ndërkohë që në vitin 2024 është rritur në 32%. Dhe 32% akses në aviacion është një nivel aspak i ulët. Është një nivel që i afrohet mesatares së vendeve të BE-së që janë vende më të reja, natyrisht nuk flasim për Gjermaninë këtu.
Pra çfarë do të thotë kjo, që është rritur apo që ka rënë ekonomia. Dhe nga ana tjetër, kjo thotë dhe një gjë që kemi bërë një punë të jashtëzakonshme se ju kujtohet se çfarë tmerri ishte me kostot e fluturimeve në Shqipëri për shkak të koncesionit të aeroportit te një kompani kineze dhe sot jemi në kushtet kur kemi një aeroport të aksesueshëm, ku nga Mali i Zi, nga Maqedonia, nga Kosova vijnë në Rinas për të fluturuar sepse është më lirë sesa në vendet e tyre dhe këtë e kemi realizuar ne me politikën tonë të hapjes dhe të rritjes së konkurrencës duke dalë nga kurthi i një koncensioni të vjetër që për një kohë të gjatë i mori shpirtin shumëkujt që fluturoi nga Shqipëria ose për në Shqipëri dhe në radhe të parë atyre që vinin në Shqipëri nga emigracioni.
Dhe e fundit që kam për sot, kur ne kemi marrë detyrën kishte 117 mijë subjekte biznesi. Sot ka 250 mijë subjekte biznesi. Tani kjo çfarë tregon? Kjo tregon se jemi më mirë seç kemi qenë kurrë ndonjëherë?! Natyrisht në raport me vetveten flas, sepse që duhet të jemi ende më mirë, kjo nuk diskutohet. Prandaj jam këtu. Prandaj vazhdon beteja. Prandaj vazhdon beteja. Apo kjo tregon se jemi më keq? Si thoni ju, për shembull?
Ta mbyllim me këtë Skerdilajd Bajrami që thotë në fund të flasin rezultatet, lerë të gjykojë koha dhe mos u lodh me këta.
Jo me këtë të fundit s’jam dakord. Do lodhem me të gjithë, sepse unë të gjithë i konsideroj, përveç kuptohet, këtyre specieve të kënetës, që janë të parikuperueshëm, janë të pashërueshëm, janë të pakorrigjueshëm, janë mallkimi që e ndjek Shqipërinë qysh nga viti 1912. Të gjithë të tjerët unë i konsideroj motra dhe vëllezër të një gjaku shqiptar. Kështu që, qëllon që dhe motra dhe vëllai të mos jenë në terezi, duhet t’i ndihmosh. Duhet t’i ndihmosh dhe unë bëj timen, por në fund ju them një gjë. Harrojeni pëlqimin. Harrojeni. Harrojeni pëlqimin. Unë nuk kërkoj të bëj krushqi, dhe me askënd, dhe me ata që s’ më pëlqejnë. Shikoni momentin historik dhe shikoni oportunitetin që kemi. Duhet ta fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian. Duhet ta marrim atë emrin Albania. Duhet ta vëmë te tryeza e Këshillit Europian dhe të jemi aty të barabartë mes të barabartësh, përgjithmonë. Jo më të poshtëruar, jo më të parë nga lart-poshtë, por të barabartë mes të barabartësh. Ky është fiksimi.
Tani një porosi kam unë, për shumë kënd në diasporë që akoma nuk i është aprovuar regjistrimi. Kjo është karta e identitetit. Të gjithë atyre që nuk i është aprovuar regjistrimi. Në një pjesë të madhe i është bllokuar sepse e kanë vënë nga këtej, kartën, mirëpo regjistrimi kërkon adresën dhe adresa është në pjesën e pasme të kartës. Kështu që, do ju lutesha shumë atyre që nuk i është aprovuar nga KQZ-ja, nga platforma e KQZ-së së regjistrimit, duhet ta vendosin kartën nga pjesa e pasme ku është dhe adresa. Adresa është diku këtu lart dhe prandaj jo këtej, por këtej, në mënyrë që të marrë adresën platforma e KQZ-së. U morëm vesh, besoj se u morëm vesh.
-Po boll, o boll. Boll o boll. Boll. Shko bëj ndonjë punë më mirë sesa futesh këtu në Facebook dhe vjell.
Po boll o burrë, boll se gjynah. Gjynah.
– Të poshtëruar jo, por të turpëruar.
Të poshtëruar me dekada e me shekuj, po. Unë këtë fjalë di dhe këtë emër i vë kësaj, ndërsa për të turpëruar nuk e di ku e hodhe llafin, por ja ku jemi, kemi dritaren e hapur dhe na duhet që deri në 2027-tën ta mbyllim këtë punë që pastaj t’i japim kohë vendeve anëtare që të na miratojnë si anëtarë të rinj të familjes europiane në parlamentet e tyre. 27 Parlamente.
Ju të Instagramit, në rregull. Ju shani fort atje, fort se ju jeni të paduruar dhe mirë e keni dhe mua padurimi më mban. Kështu që në këtë pikë jemi njësoj, por mos harroni një gjë. Shani sa të doni, por në fund votën e Partisë Socialistë, e di pse, për një gjë shumë të thjeshtë, që vetëm ne e mbyllim këtë punën e Europës dhe pastaj, kur t’iu jap pasaportën, ku aty siç është pasaporta Republika e Shqipërisë, sipër të jetë e shkruar European Union, Union European, aty jeni të lirë. Do shpëtoni dhe nga unë dhe pastaj bëni çfarë të doni. Shihni e bëni. Dakord, por deri aty ama, votën mua dhe Partisë Socialiste. Sharjet mua, patjetër, por dhe votën mua.
Top Channel