
Kreu i PL, Ilir Meta ka reaguar pas dëgjesës së rektorit të UBT, Fatbardh Sallaku në Grupin e PS.
Ai e konsideron Sallakun një profesor të intimiduar. Në postim Meta tha se çdo prokuror dhe gjykatës që ka hetuar dhe gjykuar arrestimin e Thoma Gëllçit që është vlerësuar i paligjshëm nga Strasburgu, duhet të mbajë përgjegjësi dhe duhet ta dëmshpërblejë ai/ata Gëllçi dhe jo taskapaguesit shqiptarë’.
Postimi i Metës:
Pas dëgjesës publike të një profesori të intimiduar, para partisë së shkrirë me shtetin, sot mësuam, siç konstantoi edhe vet Kryeministri, se na paska ndodhur shndërrimi i drejtësisë, nga europiane (“veneciane”) që u votua me 140 vota në 21-22 korrik 2016, në një drejtësi ruse (bjelloruse).
Mesa duket kjo ka ndodhur pa dijeninë e Ramës, i cili ishte i vetmi që nuk e donte konsensusin me 140 vota të Reformës në Drejtësi dhe i vetmi që nuk ishte në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta kur të gjithë morën pjesë.
Ndoshta për mospjesëmarrjen e Kryeministrit në atë takim, ku u vendos fati i reformës, ka ndikuar, miku i tij më i ngushtë, Charles McGonigal dhe miqtë e tjerë “amerikanë” si Rossini, falë lidhjeve të tyre me Deripaskën dhe njerëz të tjerë të lidhur me Kremlinin (ndoshta dhe me Minskun), që orkestruan edhe puçin antikushtetues për zgjedhjen me 69 vota të Prokurorit të Përgjithshëm, nga 84 vota që kërkonte Kushtetuta “veneciane”.
Prandaj rikthimi i drejtësisë europiane (veneciane) është emergjencë, padyshim edhe për rastin e Z. Thoma Gëllçi, që e përmendi sot Kryeministri, si ekzemplar për mënyrën se si aplikohen standardet ruse (bjelloruse) të arrestimit në Shqipëri.
Të jetë i sigurt Kryeministri aktual, i shqetësuar me të drejtë nga profesori i intimiduar, që në të ardhmen e afërt do të vijë nga Gjykata e Strasburgut edhe një tjetër vendim për një profesor të nderuar, si Jamarbër Malltezi, që Edi Rama ndoshta nuk e njeh, por që u rrëmbye në aeroport duke pritur bashkëshorten, u arrestua pa u thirrur një herë të vetme nga prokurorët, u mbajt në qeli dhe sot mbahet në arrest shtëpie vetëm pse ka zhvilluar pronën e përfituar në mënyrë të ligjshme, falë firmës të Edi Ramës. Vendime të tilla do të vijnë plot nga Starsburgu për të cilat Kryeministri nuk ka patur dijeni.
Në emër të Partisë së Lirisë zotohemi që për ne SPAK do të jetojë edhe 2 mijë vjet por për të goditur infiltrimin rus dhe bjellorus duhet urgjentisht të hetohet afera McGongial sepse është e padiskutueshme që falë ndikimit të tij, si mik i Deripaskës, është realizuar dhe garantuar rusifikimi i drejtësisë, natyrisht edhe i vetë SPAK.
Për realizimin e derusifikimit të drejtësisë dhe segmenteve të caktuara në SPAK duhet urgjent bashkëpunimi me institucionet e reja amerikane të cilat e njohin shumë mirë këtë problematikë dhe i dinë se çfarë lidhjesh të rrezikshme ka patur McGonigali, se jo më kot Presidenti Trump ka thënë se armiku më i rrezikshëm është armiku i brendshëm. Rikthimi në shinat “veneciane” pra kushtetuese të reformës në drejtësi është shumë i thjeshtë.
Nuk ka të bëjë më zhbërjen dhe as me incenerimin e SPAK dhe institucioneve të reja të drejtësisë, por me një verifikim së bashku me Komisionin e Venecias, të mënyrës se si është zbatuar Reforma në Drejtësi, nga ndryshimet kushtetuese në formimin e organeve të reja të drejtësisë dhe deri në rezultatet aktuale, që sipas Indeksit të Drejtësisë na renditin pas Vietnamit komunist dhe Bjellorusisë së Lukashenkos.
Këtë askush nuk ka të drejtë ta kundërshtojë.
Çdo prokuror dhe gjykatës që ka hetuar dhe gjykuar arrestimin e Z. Thoma Gëllci që është vlerësuar i paligjshëm nga Strasburgu, duhet të mbajë përgjegjësi dhe duhet ta dëmshpërblejë ai/ata z.Gëllçi dhe jo taskapaguesit shqiptarë.
Kjo duhet të ndodhë për çdo rast individual dhe konkret, si përsa i takon masave të arrestit ashtu edhe dhe vendimeve që do të rrëzojë Gjykata Ndërkombëtare sepse kjo është në interesin e qytetarëve shqiptarë që kanë pagat dhe pensionet më të ulta në Ballkan dhe varfërinë më të lartë në kontinet.
Top Channel