
Nuredin Dumani ka pasur sot seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, ku ka vijuar me dëshmitë e tij dhe nxjerrjen e planeve me grupet e tij kriminale për eliminimin e kundërshtarëve, apo veprave të tjera që kanë planifikuar për të kryer ose që kanë kryer.
I pyetur nga avokati Qani Hasa, i penduari i drejtësisë ka treguar se kur vendosi që të vriste Bujar Çelën, vëllai i Talo Çelës, teksa tha se ekzekutimi i tij ishte menduar pasi u vra miku i tij i fëmijërisë, Klevis Kapllani, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha e cila ka ndjekur nga afër seancën.
“Ishte vendosur më herët. Ato ditë po shikonim ku rrinte Dine Çami. Me sa duket ai i kishte marrë masat. U vendos kur u vra shoku im i fëmijërisë, Klevis Kapllani, më 15 shtator, në mos gaboj. Vendosa mjetet e punës te shtëpia e tij, pasi e njihja mirë zonën.
Më njoftoi Enver Diva se e kishin vrarë Kapllanin. Dola nga shtëpia e Arjan Spahiut dhe kam shkuar aty afër me Enverin dhe Xhixhën. Kaluam afër. E pamë makinën të qëlluar me plumba. Ikëm deri në Rrogozhinë dhe kur u kthyem mora Alibeajn dhe i thamë se do e vrisja Bujar Çelën.
Me 16 në darkë, mos gaboj, shtator, u bëmë gati, morëm 2 makinat që kishim në disponim, të dyja të vjedhura. Pritëm jashtë atë natë. Unë nuk kisha fjetur fare, që kur u vra Klevisi.
Unë i dija lëvizjet e Bujarit. Nga Elio e dija se ku pinte kafe çdo ditë. Unë nuk i shkova te shtëpia, por afër qëndroi Enver Diva dhe Besian Xhixha. Unë nuk doja të afrohesha në zonë.
U duk sikur ramë në sy dhe lëvizëm drejt Cërrikut. Unë u thashë “ore ai do dali për kafe”. U kthyem dhe pasi furnizova mjetin me karburant shkuam dhe e gjetëm atje tek kafja”, deklaroi ai.
Top Channel