
“Ia njoh potencialin dhe plagët shqiptarëve më shumë se kushdo tjetër”, tha kryeministri Edi Rama, në përgjigje të komentit të një qytetari, që e ftonte të takonte qytetarët dhe t’i pyeste përse largohen nga vendi.
“Na lër rehat zoti Kryeministër, sepse ne e dimë si është të jetosh jashtë dhe si është në Shqipëri. Dil një ditë tako qytetarët dhe pyeti pse largohen”, ishte komenti i Albanit, të cilit Rama i tha se “po qe puna për vizita, e njoh Shqipërinë më mirë se ty dhe se çdokush tjetër, për shkak të detyrës”.
“Njoh çdo cep të Shqipërisë. Kam parë lloj lloj realitetesh në Shqipëri. Vetëm banjot ku kam hyrë në rrugët e Shqipërisë, janë më shumë se qytetet që ke parë ti Alban. Mos ma tregoni mua dil në Shqipëri. Ia njoh bukuritë, plagët, potencialin, njerëzit. Dhe po të them se në Shqipëri kush punon, sidomos në fshat, jeton me dinjitet”.
Kryeministri u hapi sfidë emigrantëve:
“Dhe nga ana tjetër, sa i përket krahasimeve, ju sfidoj: hajde t’ua bëjmë llogaritë këtyre që punojnë në ndërtim ne Greqi, nëse ka kërkesë se ka rënë shumë, dhe pastaj hyjmë pak më thellë, sa taksa dhe qira paguan atje dhe sa paguan këtu. Këtu ke shtëpinë tënde dhe nëse punon jashtë qytetit tënd, kompania të paguan fjetjen”, tha ai.
Top Channel