Vatikani del me deklaratë të re për gjendjen shëndetësore të Papa Françeskut: Analizat kanë treguar edhe insuficiencë të veshkave

23/02/2025 20:03

Gjendja shëndetësore e Papa Françesku vijon të jetë kritike sipas deklaratës së fundit nga Vatikani.

Referuar mediave të huaja, mjekët kanë deklaruar se analizat e gjakut të Papës tregojnë shenja të lehta të dështimit të veshkave, ndërsa për sa i përket problemeve me frymëmarrjen, gjendja paraqitet e stabilizuar.

Disa prej analizave të gjakut tregojnë “një insuficiencë renale fillestare, të lehtë, e cila është aktualisht nën kontroll”, tha Vatikani.

Papa Françesku, ka marrë pjesë në meshën e shenjtë nga dhoma në katin e 10-të të spitalit Gemelli mëngjesin e së dielës, thuhet në deklaratën e Vatikanit.

Më herët të dielën, Vatikani tha se Françesku kishte marrë flukse të larta oksigjeni pasi pësoi një krizë të frymëmarrjes, por kishte një natë të qetë në spital. Vatikani tha se Françesku do të qëndrojë në spital pas diagnozës së tij të pneumonisë në të dy mushkëritë.

Papa, 88 vjeç,  tha se trajtimi i tij vazhdon dhe falënderoi stafin mjekësor për përkushtimin e tyre.

Gjendja e Papës u duk më e mirë në fillim të javës, ndërsa Vatikani tha të enjten se ai po i përgjigjej “pozitivisht” trajtimit mjekësor për pneumoni.

Papa u shtrua në një klinikë në Romë më 14 shkurt dhe fillimisht iu nënshtrua testeve për një infeksion të traktit respirator. Ai u diagnostikua më pas me pneumoni në të dy mushkëritë pas ekzaminimeve të mëvonshme.

Françesku, ka një historik ndaj infeksioneve të frymëmarrjes ndërsa vite më parë ai pati një periudhë të rëndë si pasojë e pneumonisë, që çoi në heqjen e një pjese të njërës mushkëri.

Ai u shtrua në spital me bronkit në vitin 2023, dhe muajt e fundit ka pasur dy rrëzime që i shkaktuan lëndime ne fytyrë dhe në dorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA