
Rehabilitimi i argjinaturës së majtë të lumit Seman, në bashkinë e Fierit ka përfunduar brenda 4 muajve të fundit të vitit të shkuar, duke krijuar mundësi për mbrojtjen e tokave bujqësore dhe zonave të banuara nga përmbytjet.
Investimi konsiston në rehabilitimin e rreth 8 km argjinaturë gjatësore, duke garantuar një mbrojtje të qëndrueshme të rreth 5 mijë hektarëve toka bujqësore dhe zona të banuara nga përmbytja e lumit Seman, si dhe mbrojtjen e stacionit të pompimit të gazsjellësit të TAP-it.
Kryeministri Rama ishte në Fier, ku së bashku me zëvendëskryeministren e Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, panë nga afër investimin në terren.
Kryeministri Rama kërkoi që të punohet me këmbëngulje në drejtim të informimit lidhur me linjën e re të financimit prej 250 milionë eurosh të Bankës së Shqipërisë për të gjithë ata që duan të investojnë në bujqësi.
“Ajo që duhet bërë tani dhe duhet përsëritur në mënyrë këmbëngulëse është informimi për linjën e re të financimit të Bankës së Shqipërisë. Janë 250 milionë euro të mbështetura me garancinë sovrane që ne po e përgatisim, një instrument shumë i favorshëm dhe me interesa shumë të ulëta për të gjithë ata që duan të investojnë në bujqësi, në zhvillimin rural, në agroturizëm.
Kështu që, mund të interesohen pranë bankave të nivelit të dytë. Ndërkohë AZHBR duhet të bëjë punën e vet për ta koordinuar gjithë këtë proces se duhet shumë informacion. Nga ana tjetër, rehabilitimi i argjinaturave, ujitjes dhe kullimit, është një proces që vërtetë ka marrë kohën e vet, por po shkon drejtë kurorëzimit dhe shumë njerëz që s’kanë idenë fare thonë ‘akoma merreni ju me ujësjellës? Akoma merreni ju me kanale e ujitje, këto gjëra bota i ka zgjidhur’. E dimë që i ka zgjidhur bota, por kur ne kemi filluar këtë punë ishin më shumë se gjysma e kanaleve e bllokuar dhe më shumë se gjysma e tokës së punueshme ishte e braktisur për shkak se s’kishte ujë. Rikuperimi që ne kemi bërë është i jashtëzakonshëm dhe në një kohë relativisht të shkurtër, ne me buxhetet modeste që kemi pasur, tani buxheti ka filluar të bëhet më domethënës për shkak se është rritur ekonomia, janë rritur të ardhurat, por nga ana tjetër çdo punë do kohën e vet”.
Rama inkurajoi emigrantët që kanë punuar në bujqësi që të sjellin në vendin e tyre, eksperiencën në këtë fushë.
“Dua të shfrytëzoj rastin tani është që pa diskutim që kush kthehet dhe sjell dhe eksperiencën që ka në Greqi në Itali apo gjetkë, po sidomos në këto dy vende me bujqësinë, duke e hedhur në tokën e vet, qoftë për prodhim, qoftë për përpunim, qoftë për ambalazhim, qoftë për agroturizëm, 100% i del më mirë llogaria sesa të vazhdojë të rrijë atje. Dhe jam bindur i që kjo tendencë do fuqizohet vit pas viti”, u shpreh ai.
Top Channel