
12 milionë turistë dhe 4.5 miliardë euro të ardhura, e renditën 2024 si një ndër vitet më të mira të turizmit. Por shifrat tregojnë se të paktë ishin ata që zgjodhën të pushojnë në Shqipëri.
Nga viti në vit Shqipërinë po e vizitojnë më shumë turistë të huaj, por jo të gjithë prej tyre zgjedhin të akomodohen në hotelet, apartamentet me qira apo edhe bujtinat, të paktën kështu sipas të dhënave të INSTAT. Nga 11.7 milionë turistë në 2024 vetëm 18% prej tyre zgjodhën të flenë të paktën një natë në strukturat akomoduese shqiptare.
Ndonëse net qëndrimet janë në nivele të ulëta, përsëri kanë shënuar rritje krahasuar me 2023. Sipas INSTAT 2 milionë e 185 mijë turistë të cilët u akomoduan vitin që lamë pas zgjodhën kryesisht hotelet, pranë zonave bregdetare por edhe në veri e jug të vendit. Përtej sezonit të verës, kjo tendencë vijoi edhe në muajtë e fundit të vitit që lamë pas. Me turistë që erdhën kryesisht nga Italia, Kosova, Gjermania e Anglia.
Kjo rritje është përkthyer edhe në normën neto të shfrytëzimit të shtretërve dhe dhomave.
Një pjesë e mirë e turistëve e zgjedhin Shqipërinë si një vend tranzit për të kaluar nga 1 shtet në tjetrin duke mos shpenzuar asnjë natë në strukturat akomoduese shqiptare por nga ana tjetër problem mbetet edhe informaliteti. Duke bërë që subjektet te mos raportojnë shifrat reale.
Sipas shifrave të përllogaritura nga shoqata e sektorit në vedin tonë, Shqipëria 50% të kapaciteteve akomoduese i ka apartamente dhe vila jashtë sistemit tatimor. Të cilat dëmtojnë sa arkën e shtetit, aq edhe konkurrencës mes subjekteve.
Top Channel