
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Alain Berset, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Në takim ishin të pranishëm anëtarët e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, deputetet Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Albana Vokshi, si edhe Ambasadori i Shqipërisë në KiE, Dastid Koreshi.
Kryeparlamentarja dhe Sekretari i Përgjithshëm Berset, diskutuan mbi bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë me këtë organizatë të madhe europiane gjatë 30 vjetëve të anëtarësimit dhe kontributit të Shqipërisë në Këshillin e Europës si edhe kontributin aktiv të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare.
Po ashtu u diskutua edhe për mbështetjen e KiE dhe arritjet e Shqipërisë në sundimin e ligjit, respektimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut, fuqizimin e institucioneve dhe vlerave demokratike; avancimin e reformave drejt anëtarësimit në BE; bashkëpunimin në organizatat shumëpalëshe ndërkombëtare dhe mbështetjen e vendosur për Ukrainën.
Spiropali i transmetoi Sekretarit të Përgjithshëm, Berset kërkesën e Shqipërisë që Kosova, kjo demokraci e re dhe vibrante, meriton të pranohet sa më parë në KiE, si një faktor për bashkëpunimin, sigurinë dhe paqen në rajon.
Top Channel