
Ish-shefi i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, është shpallur fajtor për puthjen e lojtares Jenni Hermoso pa pëlqimin e saj dhe është gjobitur me 10,000 euro.
Ai është liruar nga akuza për detyrim, raportojnë mediat spanjolle dhe ndërkombëtare.
Ndërsa lojtarët e Spanjës morën medaljet e tyre pasi mposhtën Anglinë në Sydney për të fituar Kupën e Botës 2023, Rubiales e kapi Hermoso nga koka dhe e puthi në buzë.
Incidenti shkaktoi protesta dhe thirrje për dorëheqjen e Rubiales.
Prokurorët kishin kërkuar dënim me burg për Rubiales, i cili javën e kaluar tha në gjykatë se ishte “absolutisht i sigurt” se Hermoso kishte dhënë aprovimin e saj përpara se ta puthte.
Ai e përshkroi puthjen si një “akt dashurie”, duke shtuar se për momentin ishte “diçka krejtësisht spontane”.
Në dëshminë e saj në fillim të këtij muaji, Hermoso këmbënguli se ajo nuk i kishte dhënë leje Rubiales dhe se incidenti kishte “njollosur një nga ditët më të lumtura të jetës sime”.
Rubiales u akuzua për sulm seksual dhe për përpjekje për të detyruar Hermoso të thoshte se puthja kishte qenë konsensuale, një akuzë për të cilën ai u lirua.
Incidenti u dëshmua nga miliona shikues televiziv dhe një stadium i tërë pasi ekipi spanjoll i femrave fitoi Kupën e Botës 2023.
Rubiales dha dorëheqjen në shtator 2023 pas disa javësh rezistence ndaj presionit për t’u dorëzuar dhe pasi FIFA e pezulloi atë dhe prokurorët spanjollë hapën një hetim ndaj tij.
Top Channel