Zgjedhjet e 11 Majit/ Rama: Survejimi, lajthitje! SPAK publikon strategjinë: Monitorim gjithë territorit, edhe diasporës!

20/02/2025 20:05

Kryeministri Edi Rama i kërkoi Prokurorisë së Posaçme, SPAK të tërhiqet nga strategjia për monitorimin në terren të zgjedhjeve të 11 majit.

Duke e cilësuar këtë strategji si ‘lajthitje’, Rama u shpreh se nuk mund të survejohen partitë në fushatë.

“Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet. Përpjekja e përbashkët për të luftuar dhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin e vet kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre”, tha Rama.

Por, vetëm pak orë pas deklaratës së kryeministrit Rama, SPAK ka publikuar strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimit zgjedhor, që sipas këtij institucioni, ka për qëllim garantimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të votuar në një proces të lirë dhe të ndershëm.

Prokuroria e Posaçme bën publike pikat kryesore të strategjisë së monitorimit në terren të të gjithë procesit zgjedhor të 11 majit.

“Verifikimin në terren të indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme. Verifikimin e raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme Monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve”, shtoi kryeministri, Edi Rama.

Prokuroria e Posaçme SPAK

Më tej, SPAK thekson se do të mbulojë të gjithë territorin e Shqipërisë, për të ndjekur çdo rast të dyshuar, duke shtuar se pjesë e kësaj strategjie do të jetë edhe diaspora, që voton për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Votimi i shqiptarëve të diasporës përbën një sfidë të re dhe të ndërlikuar për hetimin e mundshëm të shkeljeve zgjedhore. Identifikimi i autorëve të manipulimeve të mundshme apo blerjes së votave në një kontekst ndërkombëtar do të kërkojë bashkëpunim më intensiv me autoritetet ligj zbatuese të vendeve të tjera”, thekson SPAK.

Për realizimin e kësaj strategjie, Prokuroria e Posaçme thekson se do të bashkëpunojë me Prokurorinë e Përgjithshme, KQZ, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare, si dhe organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore.

Linku për strategjinë e plotë : strategjia 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA