
Në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama ka ironizuar sërish kreun e PD Sali Berisha, teksa shprehet se më 11 maj, qytetarët do duhet të zgjedhin “ose PS me BE-në, ose bufin në kënetë”.
Duke iu rikthyer edhe njëherë qëndrimit të tij ndaj drejtësisë lidhur me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës që ai e quan të paligjshëm, Rama thotë se “drejtësia e çalë mund të kthehet kërcënim për demokracinë”.
Edi Rama: Tani që pavarësia më duket se është shalqi me provë, – kur thotë populli – madje është qartësisht burimi i një vetëbesimi të prokurorisë dhe të gjykatës speciale, ne do të flasim për forcimin e demokracisë dhe do të jemi kritik sa herë që nga drejtësia të shkelen standardet demokratike, sepse një drejtësi e pavarur, një drejtësi profesionale, një drejtësi garante e lirive dhe e të drejtave kushtetuese të kujtdo, pa përjashtim, është thelbi i një demokracie të fortë evropiane. Ndërsa një drejtësi e pavarur, por e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse ndaj lirive dhe të drejtave kushtetuese dhe ndaj ndarjes kushtetuese të pushteteve madje, mund të kthehet në një kërcënim për vetë demokracinë, në një problem real për shoqërinë, në një pengesë për ekonominë.
E di ti, Gjergj ku ndryshon një gjyq në diktaturë, në autokraci apo një gjyq në demokraci? Në autokraci prokurori dhe gjykatësi janë një, një trup i vetëm kundër të akuzuarit, ndërsa në gjyqin demokratik, jo vetëm janë të ndarë, por gjykatësi është mbi palët dhe të akuzuarit dhe akuzuesit janë tërësisht të barabartë para ligjit dhe para gjykatësit.
Nëse kjo premisë themelore nuk respektohet dhe nëse ka shenja që thonë se abuzimi me pavarësinë e pushtetit të drejtësisë mund të bëhet një rrugë pa siguri juridike në trupin e shoqërisë, atëherë problemi nuk është më thjesht i atyre që keqtrajtohen direkt nga një pushtet që fryhet me vetveten, por është një problem për vendin, është një problem për shoqërinë dhe si i tillë është patjetër dhe i imi si kryeministër, por edhe i yti si qytetar, jo që ta sulmojmë, por që ta kritikojmë dhe ta ndihmojmë drejtësinë të demokratizohet, të forcohet, të konsolidohet si garante e rendit ligjor, si garante e barazisë së të gjithëve para ligjit, jo duke bërë ne, prokurorin e gjykatësin e prokurorëve dhe gjykatësve, po ama duke vënë gishtin tek problematika e patolerueshme e cenimit të standardeve dhe duke nxitur të gjitha reflektimet përkatëse; jo duke marrë ne anën e të akuzuarve për pretendimet e prokurorit dhe të gjykatësit, por duke mos heshtur kur këta të fundit e tejkalojnë kornizën e ligjit me galloshet e Maliqit dhe prokurorë e gjykatës bëhen një galloshe e vetme, si në diktaturë apo në autokraci, jo largqoftë në asnjë mënyrë duke shkrirë SPAK-un apo duke kërcënuar SPAK-un, të cilin duhet ta mbrojmë medoemos në radhë te parë nga bufi dhe nga llumi i kënetës, edhe me votën tonë në 11 maj, por patjetër dhe nga rreziku i hyrjes së vetes në qejf kur i thonë fjalës, duke luftuar të gjithë bashkë ama, paralelisht për rritjen e standardit të drejtësisë dhe për një triumf të aspiratës për një drejtësi evropiane në 11 maj.
Tani, i dashur Gjergji dështova apo nuk dështova unë të bëj shtet, këtë ia lëmë këtyre pak viteve që kemi përpara sepse në këto vite përpara, unë do të bëj atë çmos-in e madh që Shqipëria të ngjitet në majën e Bashkimit Evropian e nëse ngjitet, do të ngjitet vetëm sepse ka bërë shtet se ndryshe asaj maje as nuk i qasesh dot.
Tani zgjedhja nuk ka qenë kurrë më e qartë; o me mua në Evropë, o me bufin e kënetës prapë atje në gropë!
Top Channel