
Hetimet të shpejta, profesionale dhe të pavarura.
Nuk po dëgjoni një reklamë, por është pjesë e fushatës së prokurorive në vend të cilat njëherazi me fushatën që kanë nisur politikanët për 11 majin edhe ato kanë nisur garën për të parandaluar tjetërsimin e votës. Kjo fushatë e premtimeve të institucioneve të ngarkuara me ligj për të hetuar sipas kompetencave krimet zgjedhore, në më pak se tre javë numëron dy strategji, dy memorandume dhe tre takime të niveleve të larta për të garantuar se të gjithë do jenë proaktivë për të garantuar votën e lirë të qytetarëve për këto zgjedhje.
E para ishte publikimi i strategjisë së SPAK që thotë se do zbresë në terren prokurorët të cilët kanë kompetencë të hetojnë korrupsionin në zgjedhje dhe krimet zgjedhore që kryhen nga krimi i organizuar. Më pas kryeprokurori i posaçëm u takua me Ilirian Celibashin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, ku dhe u njoftua hapja e qendrës 24 orëshe të monitorimit të procesit zgjedhor. Por më pas , Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i shtrëngoi dorën edhe një tjetër kryeprokurori kësaj radhe Olsian Çelës që si prokuror i përgjithshëm me kompetencë në 13 prokurori premtuan një protokoll kordinimi ndër institucional. Marrëveshjet për ta bërë punën u firmosën edhe me drejtorin e përgjithshëm të policisë , ku sërish premtohet se të gjithë do jenë në një frekuencë për të hetuar
Ashtu si SPAK edhe Prokuroria e Përgjithshme i ka sytë nga qytetarët për sa kohë kërkon ndihmën e qytetarëve që të denoncojnë.
Udhëzimi I prokurorit të përgjithshëm drejtuar prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm që kanë kompetenca për krimet e tjera në fushën e zgjedhjeve si fotografimi i votës, kërcënimi i votuesve, apo braktisja e qendrave të votimit nga komisionerët thekson koordinim të shpejte me institucionet përfshi dhe SPAK , duke nënvizuar si mjete efektive komunikimin e shpejtë dhe shkëmbimin e informacionit të plotë
Megjithatë pavarësisht angazhimit të agjencive ligjzbatuese fakt mbetet se mbas zgjedhjeve numri I atyre që janë dënuar për krim zgjedhor është mjaft i ulët.
Top Channel