
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër u sekuestruan pasuritë e shtetasit D.A. i dyshuar për pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga grup kriminal tek prodhimi e shitja e narkotikëve.
Bazuar në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” dhe në kuadër të hetimit të procedimit pasuror nr.2, viti 2019, nga hetimet paraprake të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, rezultoi se ky shtetas nuk justifikon pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme me të ardhurat dhe burimet financiare. Ndërsa rezulton se ka dyshime të bazuara në indicie për pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga grup i strukturuar kriminal, si dhe për kryerjen e krimeve të parashikuara në nenet 283, 283/a dhe 284/a të Kodit Penal.
Gjatë procedimit pasuror u identifikuan pasuritë e paluajtshme, blerja e të cilave nuk justifikohet me të ardhurat e këtij shtetasi dhe të familjarëve të tij, të cilat dyshohen se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e shtetasit të sipërpërmendur dhe konkretisht:
Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 350m2, në qytetin Gjirokastër;
Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1500m2 dhe ndërtim 23 m2 në Lazarat, Gjirokastër;
Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 450 m2, në Grehot, Gjirokastër;
Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1646 m2 në Grehot, Gjirokastër;
Pasuria e llojit “Arë” me sipërfaqe 7000 m2 në fshatin Arshi Lengo, Gjirokastër;
Objekt tregtie sipërfaqe e zënë 6500 m2, ndërtuar në vitin 2005 fshati Kordhocë, Lazarat;
Lokal dhe magazinë, ndërtuar në vitin 2013 fshati Kordhocë;
Fushë mini futbolli me sip. 500 m2 dhe ndërtesë një kat me sipërfaqe 37.2 m2, ndërtuar në Lazarat; dhe
Autoveturë “Mercedes Benz”.
Top Channel