
Një ditë mësimi në shkollën “Siri Shapllo” në Gjirokastër nuk është më e zakonshme. Gjendja emocionale është e ngarkuar, pasi komuniteti shkollor është duke u përballur me pasojat e largimit nga jeta të 16-vjeçares, me të cilën ndanin të njëjtat mjedise në këtë institucion arsimor.
“Të gjithë jemi shumë të vrarë. Ndihemi të gjithë nga pak fajtorë“, shprehen nxënësit.
“Çështja është nën hetim, e po presim me durim përfundimin e hetimeve. Gjatë kësaj kohe ne kemi qenë në kontakt të vazhduar me mësuesit e nxënësit, por e ndjej të tepërt të shprehem para organit hetimor. Do kërkoja deri në përfundim të hetimeve, të ishim pak të kujdesshëm në etiketimin e stafit apo nxënësve se realisht po kalojnë periudhë të vështirë“, shprehet Albana Hasanaj, drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore, Gjirokastër.
Mirëpo, rasti i Irsa Mucollarit, që dyshohet se u vetëvra nga bullizimi, nuk ka përfshirë në reflektim çdo gjimnazist në shkollën e të ndjerës.
Agresivitet mes nxënësve, duhan, në dukje edhe presion për heshtje. Ata që pranojnë të flasin duke kuptuar tragjedinë e humbjes, thonë se e njihnin vetëm për së largu…
“Kishte tip të mbyllur. Rrinte vetëm. Kishte vetëm një shoqe“, thotë një nxënës.
Ajo që dëgjon si nevojë nga shoqëria rreth është thirrja për ndryshim.
“Po bullizohen. Por s’ka reagim. Këtu aq, tre ditë edhe harrohet”, shprehet një prind.
Por, ngjarjen nuk e harrojnë dot prindërit e Irsës. Parehatinë e të qëndruarit 6 orë në klasë, Irsa e ndjerë, ua kishte shprehur javën e fundit të jetës. Ndërsa shqetësimi i tyre është pse shkolla nuk i ka njoftuar për mungesat e vajzës nga mësimi. Sidomos në ditën kur kreu aktin e rëndë.
“Erdhi njëherë në orën 10:00. E pyeta, më tha kisha pushim babi. Qëndroi 10 minuta, iku prapë. Në 11:00, erdhi prapë, qëndroi 5 min iku prapë. Në fund erdhi në orën 13:10, kur mësimin e mbaronin në 13:30. Nga shkolla dëgjuam që ka ikur duke qarë”, tregon babai i 16-vjeçares.
Sinkron mamaja
“Gjysmë fjale të më thoshte, tani në mendje them do kisha bërë këtë, atë. Do e kisha hequr nga shkolla, vetëm të më thoshte. Ata erdhën në shtëpi për ngushëllim shokët e klasës e mësuesja e ata thonë nuk ka shfaqur ndonjë shqetësim. Nuk di si është e vërteta!”
Ata besojnë se çelësi i zbardhjes të së vërtetës është shoqja e vetme e 16 vjeçares.
“Ia kishim frikën TikTok-ut, që u fol kohët e fundit, por ajo s’kishte rrjete sociale. Mësonte nga ora 5 deri në 10-11. Mendojmë se mund të ketë folur për problemin me shoqen e ngushtë të saj po deri tani nuk dimë gjë se nuk e kemi takuar dot”, shprehet mamaja e Irsës.
Një nxënëse, që u përball me bullizmin dhe pasojat e tij tragjike, ka nxitur një debat të gjerë mbi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për çdo fëmijë.
Top Channel