
Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, tha se Uashingtoni mbështet plotësisht synimet e luftës që po zhvillon Izraeli në Rripin e Gazës duke theksuar se grupi militant palestinez Hamas “duhet shfarosur”.
Me deklaratat e tij pas një takimi që pati të dielën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Rubio rrezikon të minojë marrëveshjen e brishtë të armëpushimit, faza e parë e së cilës përfundon pas dy javësh.
“Për sa kohë që Hamasi vazhdon të mbetet një forcë që mund të qeverisë, që mund të administrojë, ose si një forcë që mund të kërcënojë me përdorimin e dhunës, paqja bëhet e pamundur,” tha ai Rubio.
Hamasi, i cili ka rivendosur kontrollin mbi Gazë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit muajin e kaluar “duhet shfarosur”. – tha Rubio.
Akuza ndaj Iranit
Rubio akuzoi më pas edhe Iranin për nxitje të destabilitetit në rajon përmes mbështetjes së tij për grupet militante si Hamasi.
“Pas çdo grupi terrorist, pas çdo akti dhune, pas çdo aktiviteti destabilizues, pas çdo gjëje që kërcënon paqen dhe stabilitetin për miliona njerëz që e quajnë këtë rajon shtëpinë e tyre, është Irani”, tha ai.
Stacione të turneut të ministrit të Jashtëm të SHBA-së, Marco Rubio, në rajon janë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite./DW
Top Channel