![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/134c20e9-b884-45b5-8e52-8a3d8e4dcd19_cx0_cy9_cw0_w1023_r1_s_sd-800x450.jpg)
Zyrtarë të lartë të administratës së Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përgatitur për takim me zyrtarë të lartë rusë për të nisur bisedimet me cak që t’u jepet fund luftimeve në Ukrainë, sipas disa burimeve të CNN-it.
Këshilltari i sigurisë, Mike Waltz, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe emisari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të nisen drejt Arabisë Saudite për t’u takuar me rusët.
CNN raporton se takimi pritet në ditët në vijim.
Nga pala ruse pritet të marrin pjesë zyrtarë të inteligjencës e ekonomisë, si dhe Kirill Dmitriev, zyrtari rus që ka pasur rol në marrëveshjet e fundit për lirimin e shumë të burgosurve.
Keith Kellog (Kith kelog), emisari i presidentit amerikan Donald Trump, ka deklaruar të shtunën se Evropa do të konsultohet, por nuk do të jetë pjesë e bisedimeve trepalëshe të paqes ndërmjet Rusisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës.
“Miqve të mi evropianë, do t’u thosha: futuni në debat, jo duke u ankuar nëse mund të jeni apo jo në tryezë, por duke sjellë propozime dhe ide konkrete”, ka thënë ai në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Kellog ka thënë se një nga arsyet se pse marrëveshjet e mëparshme të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë kishin dështuar ishte se shumë shtete ishin të pranishme në tryezë, por nuk kishin aftësinë për të menaxhuar procesin e paqes.
“Ne nuk do të shkojmë në atë rrugë”, ka shtuar ai.
Deklaratat e Kellog pritet të shtojnë zemërimin në radhët e disa liderëve evropianë, të cilët nuk i besojnë Trumpit dhe konsiderojnë se siguria e vendit të tyre është e ndërlidhur me fatin e Ukrainës.
Më herët gjatë javës, presidenti amerikan Donald Trump kishte thënë se negociatat për t’i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë duhet të nisin “menjëherë” pas bisedës “së gjatë dhe shumë produktive” në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin.
Top Channel