“U cenua jeta e prokurorëve e gjyqtarëve”/ Grumbullimi i mbështetësve të Veliajt, Policia i përgjigjet SPAK-ut dhe GJKKO-së: Nuk u raportua asnjë problem

15/02/2025 09:41

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar një ditë pasi SPAK dhe GJKKO i dërgoi një letër në lidhje me protestën e organizuar në mbështetje të kryebashkiakut Erion Veliaj jashtë institucionit të drejtësisë, me pretendimin se u cenua jeta e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Sipas Policisë, shoqërimi i kryebashkiakut nga nga ambientet e Bllokut të Sigurisë Tiranë për në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nuk u shoqërua nga asnjë problem.

“Sqarojmë se në datë 11.02.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me shkresë nr. 14 drejtuar DVP Tiranë, kërkoi shoqërimin në datë 12.02.2025, të shtetasve E. V dhe E. A., nga ambientet e Bllokut të Sigurisë Tiranë për në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pasi do të zhvillohej seanca gjyqësore për verifikimin e kushteve në zbatim të masës së sigurisë. Bazuar në kërkesën e Gjykatës së Posaçme, strukturat përgjegjëse të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në mbështetje dhe zbatim të Procedurës Standarde të Punës “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre” miratuar me Urdhër nr. 1720, datë 20.11.2023, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Procedurës Standarde të Punës “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në “Bllokun e Dhomave të Sigurisë” të DVP Tiranë, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre” miratuar me Urdhër nr. 502 datë 09.05.2022, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, hartuan urdhrin e shërbimit datë 12.02.2025, për shoqërimin e të ndaluarve/arrestuarve, duke marrë masat dhe planëzuar shërbimet policore të nevojshme. Shoqërimi dhe mbërritja në ambientet e Gjykatës së Posaçme është regjistruar në Sallën e Menaxhimit dhe Drejtimit pa asnjë problem”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë thekson se nuk ka pasur asnjë njoftim për tubim jashtë ambienteve të SPAK-ut dhe GJKKO-së dhe se për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore janë angazhuar 77 punonjës policie.

“Policia e Shtetit nuk ka pasur asnjë njoftim nga individë apo subjekte, si dhe nuk ka grumbulluar informacione apo te dhëna për grumbullime të mundshme pranë godinës së SPAK-ut. Në këto kushte nuk është hartuar plan masash, por nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është vlerësuar situata dhe janë marrë masa duke reaguar në kohë, me angazhimin e një numri të konsiderueshëm punonjësish. Në orën 08:25, pranë kryqëzimit të rrugëve drejt godinës së SPAK dhe gjithë perimetrit të saj, janë shtuar shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, Ndihmës Specialist të Policimit në Komunitet, Specialist për Hetimin e Krimeve, Ndihmës Specialist për Operacionet Speciale, shërbimet e Policisë Rrugore, Forcat e Posaçme “Shqiponja”. Në kuadër të angazhimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore janë angazhuar në total 77 punonjës policie. Gjatë gjithë kohës këto forca kanë qenë nën drejtimin e Shefit të Komisariatit të Policisë nr. 3, si dhe drejtues të tjerë të strukturave përkatëse, ndërsa Shefi i Sektorit për Sigurimin dhe Shoqërimin ka qenë i dislokuar në ambientet e brendshme të Gjykatës”.

Në reagimin e gjatë, të bërë publik edhe për mediat, Policia shprehet se nuk ka marrë asnjë ankesë nga prokurorë, gjyqtarë apo punonjës të tjerë të institucioneve të drejtësisë.

“Seanca gjyqësore ka filluar e qetë, ka vijuar normalisht dhe ka përfunduar pa asnjë problem. Në adresë të shërbimeve policore, as nga Garda e Republikës brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme, as nga prokurorë, gjyqtarë e avokatë nuk është prezantuar asnjë shqetësim, apo te jete kërkuar ndihmë për vendosje të rendit dhe sigurisë në ambientet e brendshme, apo të jashtme të Gjykatës. DVP Tiranë thekson se nuk ka marrë asnjë njoftim në formë shkresore apo verbale, apo telefonatë të drejtuar në Sallën e Menaxhimit dhe Drejtimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ku punonjës të Gardës së Republikës apo ndonjë entitet tjetër, të kenë njoftuar për cenim të rendit dhe sigurisë publike, apo paligjshmëri të tjera pranë dhe përreth godinës së Gjykatës së Posaçme”.

Sipas Policisë, qytetarët janë grumbulluar në mënyrë spontane dhe pa cenuar rendin publik, “ndaj për këto arsye procedura standarde e tubimeve nuk ka gjetur zbatim për vendosjen e kordonit policor, i cili vendoset në vendin e kufizuar për tubim, ç’ka në rastin konkret përveçse e panevojshme do të ishte edhe e pamundur, për shkak se grumbullimi i qytetarëve ka qenë spontan dhe i pa paralajmëruar“.

Megjithatë, bazuar në ankesën e SPAK dhe GJKKO, Drejtoria e Standardeve Profesionale njofton se ka filluar një hetim administrativ për të vlerësuar masat e marra nga autoritetet përgjegjëse dhe për të individualizuar përgjegjësinë e çdo strukture policore të angazhuar në këtë shërbim.

letrën e dërguar Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, SPAK dhe GJJKO kërkuan sqarim se përse nuk u morën masa nga ana e institucioneve, duke u shprehur se “kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit”. Dy institucionet e posaçme të drejtësisë e konsideruan sjellje të papranueshme duke theksuar se u cenua jeta e prokurorëve dhe gjykatësve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA