![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/0-2025-02-15T073018.366-800x450.jpg)
Presidenti Donald Trump tha të enjten se ai dëshiron të rifillojë bisedimet për kontrollin e armëve bërthamore me Rusinë dhe Kinën dhe se përfundimisht ai shpreson që të tre vendet mund të bien dakord të përgjysmojnë buxhetet e tyre masive të mbrojtjes.
Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Presidenti Trump u ankua për qindra miliarda dollarë që po investohen në ringritjen e kapaciteteve të vendit për parandalimin bërthamor dhe tha se shpreson të marrë angazhime nga vendet kundërshtare të Shteteve të Bashkuara për të shkurtuar shpenzimet e tyre.
“Nuk ka asnjë arsye që ne të prodhojmë armë të reja bërthamore, ne tashmë kemi kaq shumë”, tha Presidenti Trump. “Mund të shkatërrohet bota 50 herë, 100 herë. Dhe këtu ne po prodhojmë armë të reja bërthamore, dhe ata po prodhojnë armë bërthamore”.
“Të gjithë po shpenzojmë shumë para që mund t’i shpenzojmë për gjëra të tjera që janë në të vërtetë, shpresojmë shumë më produktive”, tha Presidenti Trump.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mbajnë rezerva masive armësh që nga Lufta e Ftohtë, Presidenti Trump parashikoi se Kina do ta arrinte këtë kapacitet shkatërrimi bërthamor “brenda pesë ose gjashtë viteve”.
Ai tha se nëse armët do të përdoreshin ndonjëherë, “kjo do të sillte ndoshta zhdukje të plotë”.
Presidenti Trump tha se do të shqyrtonte mundësinë e angazhimit në bisedime bërthamore me këto dy vende, sapo të “rregullojmë gjithçka” në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
“Një nga takimet e para që dua të kem është me Presidentin Xi të Kinës, Presidentin Putin të Rusisë. Dhe dua të them, ‘le ta përgjysmojmë buxhetin tonë ushtarak.’ Dhe mund ta bëjmë këtë. Dhe unë mendoj se do të jemi në gjendje ta realizojmë”.
Presidenti Trump në mandatin e tij të parë u përpoq pa sukses ta bënte Kinën pjesë të bisedimeve për reduktimin e armëve bërthamore, kur Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po negocionin zgjatjen e një pakti të njohur si Marrëveshja e re START. Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në traktat gjatë administratës së ish-Presidentit Biden, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia vazhduan me programe masive për të zgjatur jetëgjatësinë e arsenaleve të tyre bërthamore të epokës së Luftës së Ftohtë, ose për t’i zëvendësuar ato me armatim të ri./VOA
Top Channel