![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/01/aksident-naten-22-723x405-1-590x354-1-442x249.jpg)
Gjykata e Apelit në Kretë ka dënuar me 11 vjet e 3 muaj burg një 48-vjeçar, baba i katër fëmijëve, pasi u shpall fajtor për vjedhje, përdhunim, dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe hyrje të paligjshme në Greqi.
I pandehuri, shtetas shqiptar me banim në Chania sipas Protothema, ka mohuar të gjitha akuzat, përveç vjedhjes, por nuk ka bindur gjykatën, e cila ka përsëritur vendimin e shkallës së parë dhe kështu ai do të kthehet në burgun e Grevenës, ku mbahej që nga arrestimi i tij në 2021.
Ngjarja nisi të zbërthehej më 17 gusht 2021, kur një çift turistësh irlandezë kishin shkuar në plazhin e Platanias për të notuar natën. Me daljen nga deti, pak pas orës 01:00, ata zbuluan se teksa ishin duke notuar, nga çanta i kishin vjedhur një iPhone, një portofol dhe një orë me vlerë 500 euro .
Duke përdorur iPhone-in tjetër , të cilin vajza kishte me vete, u aktivizua aplikacioni i gjurmimit dhe aty pranë çifti ka pikasur të pandehurin së bashku me një bashkëpunëtor tjetër që mbante telefonin, ndërsa më pas iu gjet ora.
Siç u zbulua më pas nga hetimi i policisë, 48-vjeçari kishte marrë pjesë edhe në përdhunimin në grup të një turisteje suedeze pak ditë më parë, më 11 gusht, pak para orës 01:00, sërish në plazhin e Platanias.
Në gjykimin, i cili zgjati përafërsisht 4 orë, u lexuan deklaratat e dëshmitarëve, ndërsa dy policë dëshmuan personalisht.
Asnjë nga viktimat nuk u paraqit në mbështetje të akuzës, megjithatë 48-vjeçari u dënua në bazë të provave.
Top Channel