Qytetarët nuk e lanë vetëm, as Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, dhe as Gjykatën për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.
Pas një thirrjeje në rrjetet sociale për t’u tubuar në mbështetje të strukturës së posaçme, qytetarët mbërritën në dyert e SPAK me pankarta që shprehin mirënjohje. Në tubim ishte i pranishëm edhe Endri Shabani i “Nismës Thurje” dhe Adriatik Lapaj i “Shqipërisë Bëhet”.
Mbështetja ndaj SPAK vjen pak orë pasi mbështetës të Erion Veliaj qëndruan në këtë godinë, teksa mbahej seanca verifikuese ndaj tetë personave, midis tyre edhe kryebashkiaku i Tiranës, nën arrest me burg.
Veç thirrjeve pro SPAK, qytetarët dhe anëtarë të shoqërisë civile firmosën në pankartën “Faleminderit” , mesazhet e tyre mbështetëse për prokurorin Ols Dado dhe gjyqtarin antikorrupsion Erion Bani, emrat e të cilëve kanë qenë më të sulmuarit gjatë orëve të fundit.
Top Channel