Greqia zgjedh presidentin, ligjvënësit votojnë 65-vjeçarin Konstantinos Tassoulas

13/02/2025 12:48

Ligjvënësit grekë zgjodhën të mërkurën si president të vendit, 65-vjeçarin Konstantinos Tassoulas , një prej më të besuarve të rrethit politik të kryeministrit konservator, një lëvizje që analistët e shohin si synim të Mitsotakis për të forcuar kontrollin e tij në pushtet.

Për zgjedhjen e tij u nevojitën katër raunde votimi pasi nuk mund të siguronte sipas ligjit 200 vota në dy raundet e para dhe 180 në të tretin, ndaj përfundimisht morri vetëm 160 votat e deputetëve të Demokracisë së Re.

Ish-kreu i parlamentit, Tassoulas që zëvendëson presidenten në largim Katerina Sakellaropoulou, për një mandat pesë-vjeçar, është presidenti i parë që zgjidhet vetëm me votat e partisë në fuqi e cila e propozoi.

“Ju falënderoj sinqerisht për shpalljen zyrtare të zgjedhjes sime, e cila për mua përbën nderin më të madh, por në radhë të parë është një përgjegjësi e jashtëzakonshme”, tha Konstantin Tassoulas-presidenti i sapozgjedhur.

Tasoulas kishte qenë kreu i parlamentit që kur Mitsotakis fitoi zgjedhte e 2019 dhe konsiderohet i afërt me krahun nacionalist të konservatorëve në fuqi.

“Në një mjedis të paqëndrueshëm ndërkombëtar, jeta politike e vendit po evoluon me siguri dhe përgjegjësi, në një rrugë të qëndrueshme demokracie, zhvillimi ekonomik dhe progresi shoqëror, në të cilin do të kontribuojë edhe presidenti i ri”, Kyriakos Mitsotakis-kryeministër i Greqisë.

Avokati dhe baba i dy fëmijëve është një veteran politik, i zgjedhur për herë të parë si ligjvënës në vitin 2000 dhe që atëherë ka shërbyer si ministër i kulturës, zëvendësministër i mbrojtjes dhe sekretar i përgjithshëm i partisë në parlament.

Kandidatura e tij u kritikua nga partitë opozitare . SocialIstët e PASOK-ut e akuzojnë se ligjvënësit nuk arritën të hetonin asnjë përgjegjësi politike mbi katastrofën më të rëndë hekurudhore të Greqisë ,të aksidentit tragjik të përplasjeve të dy trenave në luginën e Tempit dhe vdekjen e 57 personave, para dy vitesh.

Tassoulas do të betohet si kreu i shtetit në datën 13 mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA