![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/01/shkoder-policia_sd-800x450.jpg)
Sot në orën 8:30 minuta Gjykata e Posaçme nisi seancën verifikuese ndaj kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa të dyshuar për korrupsion në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe pastrim parash.
Seanca u shty për orën 13:30 raporton gazetarja Anila Hoxha, pasi avokatët kërkuan të njihen me dosjen.
Në të njëjtën seancë janë edhe biznesmeni Elman Abule, i dyshuar për pastrim parash dhe pesë të tjerët detyrim paraqitje që janë Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha .
Gjyqtari që ka miratuar masën e arrestit me burg për Erion Veliaj dhe arrest shtëpiak për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa shpjegon se ekziston dyshimi që ata mund të largohen, dhe se rrezikojnë të kryejnë krime njësoj të rënda si ato për të cilat po hetohen.
Për Erjon Veliajn gjykata kujton se ai vijon të ushtrojë funksione publike dhe ekziston rreziku të abuzojë me detyrën. Po ashtu, ekziston rreziku të impaktojë provat dhe dëshmitarët.
Si shembull gjykata përmend sjelljen e kryebashkiakut që dyshohet se ju shkroi mesazh hetuesve të byrosë kombëtare të hetimit. Një precedent tjetër i intimidimit të dëshmitarëve është edhe ai që hedh hije dyshimi edhe ndaj deputetes socialiste Klotilda Bushka, që dyshohet se ka orientuar shtetasen Ina Goxhaj se çfarë duhet të thoshte në SPAK.
Dëshmitares thotë SPAK i është marrë telefoni duke ju zëvendësuar me një tjetër telefon. Ndërkohë që Abule dyshohet se ka pastruar paratë përgjatë një kohë të gjatë, ndryshe nga pesë biznesmenët të cilët ka të dhëna se kanë korruptuar për të marrë si shpërblim leje apo fonde publike.
Mes provave të administruara janë edhe deklaratat e pasurisë së kryebashkiakut Erion Veliaj prej 2013, si dhe informacioni i dëshmitarit X, i vetëidentifikuar si Nesti Angoni i cili në rruge anonime në 2023 dërgoi të dhëna në prokurorinë e posaçme, duke e vënë në lëvizje këtë të fundit.
Top Channel