Senati konfirmon Tulsi Gabbard si Drejtoreshë të Inteligjencës Amerikane, ish-demokratja që u kthye në të besuarën e Trump

12/02/2025 18:44

Senati votoi sot për të konfirmuar ish-deputeten demokrate Tulsi Gabbard si drejtore të inteligjencës kombëtare.

Gabbard, një nga zgjedhjet më të diskutueshme të Presidentit Donald Trump, u përball me shqetësime nga disa senatorë republikanë për mungesën e mbështetjes së saj për Ukrainën; takimi i saj në vitin 2017 me ish-presidentin sirian Bashar al-Assad; dhe mbështetjen e saj në të kaluarën për Edward Snowden, ish-zyrtar amerikan.

Megjithatë, senatorët kryesorë republikanë, duke përfshirë senatoren Susan Collins nga Maine, Lisa Murkowski nga Alaska dhe Todd Young nga Indiana, në fund vendosën të mbështesin kandidaturën e saj.

Të hënën mbrëma, Murkowski pranoi në një deklaratë se ajo kishte ende “shqetësime për qëndrime të caktuara që Gabbard kishte pasur më parë”, por shtoi se “ajo sjell mendime të pavarura dhe mbikëqyrje të nevojshme në rolin e saj të ri”.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune mbrojti nominimin e Gabbard gjatë një fjalimi, në të cilin ai theksoi shërbimin e saj ushtarak dhe u përqendrua në premtimin e saj për të pasur një staf efikas të Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

“Më vjen mirë që Gabbard planifikon të fokusohet në identifikimin dhe eliminimin e tepricave dhe joefikasiteteve për të rikthyer zyrën në atë që ishte projektuar fillimisht të ishte,” tha ai.

Gabbard është kandidatja e 14-të e Trump që konfirmohet që nga inaugurimi i tij.

Konfirmimi i saj ishte një kthesë dramatike për një nominim që, që nga fillimi, ka qenë ndër më përçarësit tek republikanët. Si një ish-deputete demokrate nga Hawaii, Gabbard tërhoqi vëmendjen e ligjvënësve të Komitetit të Inteligjencës së Senatit mbi pikëpamjet e saj mbi përgjimin dhe një seri takimesh të diskutueshme që ajo mbajti në Liban dhe Siri në vitin 2017, duke përfshirë atë me Presidentin e atëhershëm Assad.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA