![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/ins_sd-800x450.jpg)
Edhe pse nuk do ketë ndikime financiare të drejtpërdrejta, ndihma teknike e SHBA mund të jetë shumë e rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve të SPAK dhe GJKKO, si në trajnimet e stafit dhe përditësimin e pajisjeve.
Një gjyqtar i Gjykatës së Posaçme që nuk pranon të identifikohet, ka konfirmuar për Inside Story, se një nga trajnimet që trupa e GJKKO do të zhvillonte në muajin mars është anuluar. Ky trajnim ishte vijim i një trajnimi, ku anëtarët e kësaj gjykate kishin marrë pjesë pak muaj më pare.
“Ndërkohë pjesë e ICITAPIt, edhe ky një projekt amerikan në luftën kundër krimit ndërkombëtar, ka vepruar ngushtësisht dhe kanë qenë edhe pjesë bashkë me evropianët e strukturës që kontrollohej komisionin e përzgjedhjes së BKH ku krahas 3 prokurorëve të SPAK ka pasur edhe Europiane e Amerikane që kanë dhënë kontributin e tyre, dhe kanë vazhduar në ndihmë të tyre” u shpreh Aldred Balla, ish-kreu i KPK.
“Kali i betejës së administratës Trump është politika e brendshme. Ai ka ardhur në pushtetet nëpërmjet narrativës mbi situatën e brendshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në një farë mënyrë ajo që është e qartë është që do ketë vëmendje fokus tek çështjet e sigurisë , çështjet e emigracionit dhe çështjet e ekonomisë” u shpreh Besian Zogaj, pedagog.
Inside Story ka mësuar se në Muajin Shkurt ishte planifikuar një trajnim me oficerë të Drejtorisë së Antiterrorit, por projekti u shty për në muajin Maj. Nga Antiterrori konfirmojnë se ekspertiza dhe mbështetja amerikane vijon e pandryshuar në tërësi. Duhet theksuar se edhe në mandate ne parë të Trump në vitin 2016, ndodhi një pezullim i ngjashëm i financimeve derisa u verifikuan. Po ashtu, vlen të theksohet se me nisjen e luftës në Ukrainë, disa projekte që ishin parashikuar, u ndërprenë për shkak të financave pasi fondet u kanalizuan në Ukrainë. Pra, paratë kanalizohen sipas nevojës dhe prioriteteve.
Në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, zyra që shumë gazetarë të kronikës, opinionistë dhe mbështetës të SPAK e shihnin si zyrë shprese, tashmë është e boshatisur. Punonjësit e OPDAT janë larguar nga ambientet e SPAK. Këtu, mund të ngrihet një pikëpyetje nëse syri dhe veshi amerikan, a do të jetë më në SPAK për ti bërë ballë presionit dhe mbështetur prokurorët për dosjet e bujshme…?!
Top Channel