“Drejtësia, Liria dhe Siguria”/ Kryeadministratorja e AAPSK: Rritja e aseteve të konfiskuara, progres në luftën ndaj paligjshmërisë

11/02/2025 18:06

Kryeadministratorja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja mori pjesë sot në takimin e 16-të të Nënkomitetit “Drejtësia, Liria dhe Siguria” mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të BE-së, në kuadër të negociatave për anëtarësim.

Takimi u hap nga Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ndërsa të pranishëm ishin edhe drejtuesja e Njësisë për Zgjerimin, në Komisionin Europian, Sigrid Brettel, kreu i SPAK, Altin Dumani, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, drejtuesja e BKH-së Aida Hajnaj, përfaqësues të Kuvendit e zyrtarë të tjerë të lartë të agjencive ligjzbatuese në vend.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Kryeadministratorja e AAPSK theksoi rëndësinë e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, si një aspekt thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar. Gjithashtu ajo vuri në dukje nevojën e bashkëpunimit me homologët ndërkombëtarë dhe me strukturat e Bashkimit Europian.

“Duke punuar ngushtë me ekspertë të këtij sektori dhe gjithashtu me agjenci homologe në shtetet e tjera, ne jemi në gjendje të ndajmë njohuri të çmuara, të rrisim ekspertizën tonë dhe të përmirësojmë menaxhimin e aseteve. Ky bashkëpunim na ka mundësuar të mësojmë nga përvoja e tyre, të rivlerësojmë proceset tona dhe të shfrytëzojmë sa më mirë burimet që kemi në dispozicion, duke siguruar që të qëndrojmë para në luftën kundër krimit të organizuar,” u shpreh Xhaja.
Ajo theksoi se një nga shenjat më të prekshme të progresit të bërë në luftën kundër krimit të organizuar, është rritja e konsiderueshme e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara.

“Ky numër në rritje, është një pasqyrë e qartë e përparimit që kemi bërë në destinimin e pasurisë së paligjshme dhe sigurimin që kriminelët nuk përfitojnë më nga veprimtaritë e tyre,” tha Kryeadministratorja e AAPSK-së.

Xhaja u shpreh se AAPSK siguron që, pasi asetet të sekuestrohen ose të konfiskohen, ato të menaxhohen siç duhet dhe në mënyrë transparente, me fokus në ruajtjen dhe kthimin e vlerës së tyre në shërbim te komunitetit, nëpërmjet projekteve të ndryshme, si edhe fondit të posaçëm për parandalimin e kriminalitetit. Në vëmendje janë mbështetja e familjeve të efektivëve të rënë në detyrë, financimi për drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë, rehabilitimi dhe fuqizimi social i viktimave të trafikimit, përdorimi i aseteve të konfiskuara në shërbim të komunitetit, etj.

Kryeadministratorja e AAPSK u shpreh se institucioni që drejton do të japë kontribut për të forcuar sistemet ligjore, të përmirësojë më tej kapacitetet institucionale dhe të thellojë bashkëpunimin me homologët ndërkombëtarë për të siguruar që asetet kriminale jo vetëm të sekuestrohen, por përfundimisht të konfiskohen dhe të përdoren në funksion të komunitetit.

Fjala e Kryeadministratores së AAPSK:

Është kënaqësi dhe përgjegjësi e veçantë për mua të flas sot mbi një aspekt thelbësor të luftës kundër krimit të organizuar, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Ky është një mjet i fuqishëm, jo vetëm për të ndëshkuar aktivitetet kriminale, por edhe për të rikthyer drejtësinë dhe për të parandaluar fuqizimin e mëtejshëm të grupeve kriminale.

Dua të ndaj me ju progresin e rëndësishëm që Shqipëria ka bërë vitet e fundit në ndjekjen dhe luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe fluksit të paligjshëm të financave që shpesh ushqejnë këto aktivitete.

E konsiderojmë progres të vërtetë zhvillimin e një strukture që na mundëson të identifikojmë, gjurmojmë dhe rikuperojmë asetet që janë fituar në mënyrë të paligjshme. Po ashtu, po krijojmë një strategji për të informuar komunitetin dhe për të qenë gjithmonë transparentë në mënyrën se si kjo strukturë reagon dhe menaxhon këto asete.

Gjatë punës për zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve tona, kundër krimit në çdo aspekt të tij, në kuadër të përafrimit me direktivat e BE, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm me homologët ndërkombëtarë. Duke punuar ngushtë me ekspertë të këtij sektori dhe gjithashtu me agjenci homologe në shtetet e tjera, ne jemi në gjendje të ndajmë njohuri të çmuara, të rrisim ekspertizën tonë dhe të përmirësojmë menaxhimin e aseteve. Ky bashkëpunim na ka mundësuar të mësojmë nga përvoja e tyre, të rivlerësojmë proceset tona dhe të shfrytëzojmë sa më mirë burimet që kemi në dispozicion, duke siguruar që të qëndrojmë para në luftën kundër krimit të organizuar.
Disa nga çështjet kryesore që janë marrë në konsideratë nga agjencia:

– Ndryshimi i kuadrit ligjor, veçanërisht për mënyrën dhe institucionet kompetente për shitjen e pronave të sekuestruara dhe/ose konfiskuara.

– Rikategorizimi i Agjencisë dhe ndryshimi i strukturës se saj

– Është miratuar Rregullorja e Brendshme dhe Kodi i Etikës, i cili fokusin kryesor ka konfliktin e interesit për administratorët dhe pasuritë të cilat ata administrojnë.

– Manuali i Procedurave të praktikave të punës së agjencisë, i cili do të jetë gati në mars të këtij vitit.

– Sistemet e Informimit Publik (Hapja e faqes zyrtare të AAPSK-së, e cila menaxhohet nga AKSHI tashmë, hapja e rrjeteve sociale të agjencisë dhe fushatat e ndërgjegjësimit publik)

– Qasja ndaj Kriptomonedhave.

Një nga shenjat më të prekshme të progresit, është rritja e konsiderueshme e numrit të aseteve që kemi mundur të sekuestrojmë dhe konfiskojmë. Ky numër në rritje, është një pasqyrë e qartë e përparimit që kemi bërë në destinimin e pasurisë së paligjshme dhe sigurimin që kriminelët nuk përfitojnë më nga veprimtaritë e tyre.
Gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka punuar fort për të forcuar kuadrin ligjor dhe institucional që mbështet këto përpjekje. Jemi të mendimit që një hap i rëndësishëm në këtë process, ka qenë krijimi i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve (ARO), e cila do të kompletojë përfundimisht zinxhirin e strukturës për ndjekjen, hetimin dhe rikuperimin e aseteve kriminale. Krahas kësaj, Agjencia jonë (AAPSK) siguron që, pasi asetet të sekuestrohen ose të konfiskohen, ato të menaxhohen siç duhet dhe në mënyrë transparente, me fokus në ruajtjen dhe kthimin e vlerës së tyre në shërbim te komunitetit, nëpërmjet projekteve të ndryshme, ku mund të përmendim disa prej tyre, të financuara ndër vite, nga “Fondi i Posaçëm, për parandalimin e kriminalitetit”.
1. Rehabilitimi i familjeve të efektivëve që kanë rënë në detyrë.
2. Financimi ne mbeshtetje te Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorise.
3. Rehabilitimi dhe fuqizimi social i viktimave të trafikimit përmes integrimit dhe punësimit.
4. Fuqizimi i pozitës sociale dhe ekonomike të viktimave të trafikimit.
5. Përdorimi i aseteve të konfiskuara ne sherbim te komunitetit.
6. Kalimi i automjeteve të sekuestruara, konfiskuara në përdorim të institucioneve shtetërore dhe në pronësi të qeverisjes vendore.
7. Janë mbështetur me mjete lundruse dhe automjete strukturat e policisë.
8. Jane kaluar produkte të konfiskuara në pikat doganore për llogari të institucionit të shërbimit social, me qëllim mbështetjen e fëmijeve në nevojë. Sikurse janë duke u identifikuar nevoja të femijëve me aftësi të kufizuara për t’u ardhur në ndihmë me paisje elektronike me qëllim përmirësimin e mësimdhënies dhe plotësimin e nevojave të veçanta që ata kanë. etj
Përpiqemi dhe punojmë fort për të ecur përpara dhe mbetemi thellësisht të angazhuar për të vazhduar punën në rikuperimin e aseteve, luftën kundër korrupsionit dhe përballjen me krimin e organizuar. Ne do të vazhdojmë të forcojmë sistemet tona ligjore, të përmirësojmë kapacitetet institucionale dhe të thellojmë bashkëpunimin me homologët ndërkombëtarë për të siguruar që asetet kriminale jo vetëm të sekuestrohen, por përfundimisht të konfiskohen dhe të përdoren ne funksion te komunitetit.
Edhe pse jemi krenarë për atë që kemi arritur, ne e kuptojmë që ky është një proces i vazhdueshëm, dhe mbetemi të angazhuar për të ecur përpara, duke siguruar që drejtësia të vihet në vend dhe të respektohet rendi ligjor.
Faleminderit!

FOTO GALERI
1/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA