“Fjala e çdo shqiptari jashtë vlen”/ Rama thirrje diasporës: Regjistrohuni për të votuar, mezi pres të shoh gjykimin tuaj

10/02/2025 09:20

Teksa kanë mbetur 22 ditë nga përfundimi i regjistrimit të zgjedhësve në diasporë, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje që të marrin pjesë në zgjedhje.

Në një video të ndarë sot në ‘Facebook’, kreu socialist shprehet se regjistrimi deri më tani është premtues, por duhet të jetë edhe më i madh, sepse “fjala e çdo shqiptari jashtë vlen”.

“Nga Partia Socialiste, 22 ditë nga përfundimi i regjistrimit të zgjedhësve në diasporë, 11 maji do të jetë njëvotim historik edhe për faktin se për herë të parë shqiptarët e Europës dhe të mbarë botës do të votojnë nga jashtë kufijve, nga aty ku janë, me postë.

Por kush do të bëhet pjesë e kësaj historie të re për demokracinë tonë duhet të regjistrohet deri në 4 mars, sepse votimi bëhet me postë dhe koha për t’ja çuar fletën e votimit në shtëpi çdo zgjedhësi me një zarf të parapaguar edhe për kthimin, është kohë e domosdoshme.

Deri më tash numri i të regjistruarve është premtues por pa diskutim mund të jetë edhe më i madh akoma. Fjala e çdo shqiptari jashtë kufijve vlen gjykimi i çdokujt që e sheh progresin e Shqipërisë tonë të përbashkët nga një distancë e arsyeshme vlen.

Dhe unë mezi pres që të shoh se cili do të jetë gjykimi i shqiptarëve të Evropës dhe të botës për Shqipërinë e çliruar nga hija e zezë e paragjykimeve të deri djeshme, për Shqipërinë e respektuar nga Evropa dhe bota si asnjëherë më parë dhe që në mandatin tonë të 4 do të hedhë hapin përfundimtar të anëtarësimit në BE. Regjistrohuni, mos e lini për ditën e fundit kur edhe mund të ngarkohet faqja e KQZ dhe të bëhet më pas shumë më e vështirë”-shprehet Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA