Rivendosje e menjëhershme e funksionimit të qendrave shqiptare të Gjadrit dhe Shëngjinit, pavarësisht vendimit të 25 shkurtit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë: Ky sipas Corriere della serës është plan i ri i qeverisë italiane, i cili siç shkruan media e njohur, diskutohet të vijë edhe me koston e një zgjidhjeje ekstreme siç do të ishte heqja e juridiksionit të Romës mbi strukturat  në fjalë, në bazë të traktatit të nënshkruar me Tiranën.

Ky është objektivi i qeverisë e cila ka vendosur të modifikojë marrëveshjen me Shqipërinë dhe mund ta bëjë këtë edhe me dekret, nënvizohet në shkrim. Pas tre refuzimeve radhazi nga gjyqtarët e Emigracionit dhe Gjykata e Apelit, për të lënë në Shqipëri emigrantët e refuzuar, po mendohet përjashtimi i kompetencës së magjistratëve italianë për menaxhimin e refugjatëve që do të riatdhesohen.

Aktualisht, po shqyrtohen hipoteza të ndryshme për rifillimin e transferimeve të emigrantëve, këtë herë me një diskutim më të gjerë ku nuk përfshihen vetëm të shpëtuarit në det dhe që vijnë nga vendet e përfshira në listën italiane të sigurisë, por edhe ata që ndodhen tashmë në pikat e nxehta dhe qendrat e pritjes në territorin kombëtar.

Po kështu, pjesë e diskutimeve ka qenë dhe mundësia që qendrat shqiptare të mund të shndërrohen në CPR – pra të dedikuara ekskluzivisht riatdhesimit të refugjatëve që konsiderohen që në fillim se nuk i përmbushin kriteret për të marrë mbrojtje ndërkombëtare nga Italia – ose në qendra pritjeje. Dhe në këtë pikë nuk mund të përjashtohet që kompetencat e menaxhimit t`i kalojnë Tiranës e jo më Romës, nënvizohet në artikull.

Për cdo rast, teksa ende pritet vendimi i gjyqtarëve në Luksemburg, ekzekutivi italian po shfaq gatishmërinë e tij për të ecur përpara. Dhe për këtë është planifikuar edhe një mbledhje tjeter, në kërkim të një zgjidhjeje të besueshme ligjore pas vendimeve bllokuese të gjyqtarëve për ndalimet në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA