“Donald Trump mund të jetë një bekim për Europën, sepse mund ta zgjojë atë e ta bëjë një fuqi të madhe”.
Në një intervistë të gjatë për median spanjolle “La Razón”, kryeministri Edi Rama preku njërën prej cështjeve më shqetësuese për kontinentin e vjetër sot, emigracionin. “Përdorimi i tij si armë politike mund të shkatërrojë Evropën”, tha shefi i ekzekutivit.
Nga Madridi, ku prezantoi edicionin e 30-të të Kongresit Botëror të Drejtësisë, Rama gjeti rastin të shpjegonte përse Shqipëria është “vendi i mundësive” – me njerëz mikpritës, një vendi i sigurtë e i bukur si Spanja por edhe shumë më lirë.
“Ne po e kthejmë në luftë kulturash dicka që ka të bëjë me menaxhimin e kufijve dhe të tregut të punës, e kjo është dicka që mund të shkatërrojë shpirtin e Europës. Ndaj, përsa kohë që nuk ka një politikë të mirëpërvijuar për këtë cështje, përtej të majtës e të djathtës dhe interesave elektorale, Europa do të ketë problem”, paralajmëroi ai. Dhe, a do të jetë Trumpi një faktor në nxitjen e integrimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian? Rama përgjigjet me fjalët e presidentit amerikan.
“Donald Trump thotë se Zoti e shpëtoi nga atentati me qëllimin që ta bëjë Amerikën të madhe sërish. Dhe jam shumë i lumtur që Zoti e bëri këtë. Unë dua të shtojk këtu se Zoti e shpëtoi Donald Trumpin për të zgjuar Europën. Dhe nëse është kështu vërtet, atëherë Trumpi është një bekim për Europën në kuptimin që ajo ka çdo arsye të zgjohet dhe të ndryshojë dhe të bëhet shumë më e vetëdijshme se nevoja për ndryshim nuk mund të shtyhet çdo vit, sepse përndryshe Evropa do të jetë dytësore. Europa mund dhe duhet të jetë një fuqi e madhe dhe për këtë duhet të ndryshojë dhe të jetë e vetë-mjaftueshme”, ishte komenti i Ramës, që theksoi gjithashtu se vendi ynë është i vetmi në Europë që nuk ka marrëdhënie me Rusinë, ndërsa prania kineze, sic thekoi ai, është vetëm 0.1%.
Top Channel