![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/WhatsApp-Image-2025-02-10-at-15_sd-800x450.jpg)
Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës prodhoi emocione, gola, kartonë, dhunë, kaos, por jo fitues.
Derbi i parë i luajtur në “Arenën e demave” nuk shkoi ashtu siç pritej, e cila nisi me 30 minuta vonesë, kjo për shkak të përleshjeve të tifozerive të të dyja skuadrave, e cila detyroi forcat e rendit të ndërhynin menjëherë.
Sa i përket sfidës në fushë, bardheblutë e nisën takimin mjaft mirë, duke kaluar në avantazh falë një goli të Ernest në minutën e 29’.
Pas këtij goli, “Demat” provuan disa herë për të rikthyer baraspeshën, të cilën e gjetën vetëm falë Sembenes në minutën e 90’ të takimit.
Menjëherë pas kësaj, një situatë tjetër kaotike “shpërtheu” në fushën e lojës, me kartonët e kuq që nuk u kursyen nga kryesori. Bytyçi, Taipi dhe Gudjufi u ndëshkuan te të kuqtë, ndërsa për bardheblutë e pësuan Marku, Gjumsi dhe Mici, teksa sfida u mbyll 1-1.
Kështu Partizani ngjitet momentalisht në vendin e dytë, me “Final 4” që duket i siguruar për “Demat”. Nga ana tjetër, bardheblutë ngjiten momentalisht në vendin e 8-të me 23 pikë, me rrezikun për të rënë nga kategoria që është ende aty.
REZULTATI:
PARTIZANI 1-1 TIRANA
Sembene 90’ / Ernest 29’
Top Channel