“Shqipëria drejt BE, nuk ka plan B”, Rama nga Madridi: Kemi bërë pastrim të jashtëzakonshëm në sistemin e drejtësisë

08/02/2025 11:16

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur pas nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027 në Shqipëri, u shpreh se Shqipëria nuk ka plan B, përveç se anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kreu i shtetit tha se është bërë pastrim i jashtëzakonshëm në sistemin e drejtësisë, ndërsa theksoi se tashmë gjyqësori nuk është më në duart e politikës.

Fjala e plotë:

Më vjen keq, nuk flas dot në spanjisht, do të flas në gjuhën angleze dhe më duhet që menjëherë të ndaj me ju se sa i tmerruar jam sepse më duhet të flas në praninë e dikujt që ka qenë frymëzim për mua kur kam qenë i ri dhe ka qenë një nga arsyet më të forta sepse atëherë kandidova si udhëheqës i Partisë Socialiste të Shqipërisë, kryeministri juaj legjendar Felipe Gonzales, kështu që kërkoj ndjesë nëqoftëse nuk do të jem në gjendje të jap maksimumin sepse jam vërtetë i tmerruar.

Nga ana tjetër, ndihem mjaft i përulur që kam këtë mundësi për të folur përpara jush dhe mund të imagjinoj që shumë prej jush mund të pyesni, ‘’Po Shqipëria ç’dreqin do këtu?’’

Po, do, sepse Shqipëria është larg së qenit ajo çfarë ju kanë thënë, është larg së qeni vendi që është persekutuar për kaq shumë kohë nga stigma e të qenit një vend i zymtë. Në fakt, dielli shndërrin në Shqipëri, kurrë nuk është zymtë se është një vend ‘’kriminelësh, rrëmbyesish, hajdutësh”, nuk është se nuk i kemi të gjitha këto, por janë po aq shumë dhe po aq pak sa në çdo vend tjetër e po kështu është një vend, pasaporta e të cilit gjithmonë ngjante me një dokument shumë të dyshimtë, por kjo ka ndryshuar.

Është një kënaqësi e madhe që gjendem këtu mes individësh të cilët kanë formësuar historinë e Spanjës por edhe historinë e Europës dhe të botës. Jo vetëm kryeministri Felipe Gonzales por edhe një legjendë tjetër në anën tonë të botës, Ballkanin Perëndimor, Javier Solana; po kështu edhe mjaft të tjerë.

Dua që të përfitoj nga rasti të them që ka qenë privilegj që të njoh Javier Cremades, që ta mikpres në Shqipëri e të dëgjoj prej tij gjithë fjalët që kishte për të thënë për ato çka kemi bërë kur vjen fjala për të luftuar për një vend të drejtë e për një vend i cili faktikisht vjen nga një e shkuar shumë, shumë e vështirë ku s’kemi pasur kurrë ndonjëherë shtet të së drejtës, ku kurrë s’kemi pasur ndonjëherë një drejtësi të pavarur, ku kurrë ndonjëherë nuk kemi pasur traditën e institucioneve.

Në rrekjen tonë për drejtësi historia risht spanjolle dhe modeli spanjoll kanë qenë burim frymëzimi. Do të kthehem tek ajo çfarë tha Felipe Gonzales; politika është një luftë për pushtet por po kështu, është lufta për drejtësi dhe lidhur me këtë nuk mund të jem më krenar se kaq, që do të jemi pritësit e Kongresit Botëror të së Drejtës në vitin 2027 dhe nuk mund të jem më i sigurtë se kaq, që t’ju ftoj të gjithëve të vini në Shqipëri duke ju thënë dy gjëra; se pari nuk do të pendoheni kurrë dhe do të doni gjithnjë të ktheheni dhe së dyti, nuk do të mërziteni as edhe një minutë të vetëm nëqoftëse jeni me ne në Shqipëri.

Shqipëria sot është si Spanja një herë e një kohë kur nisi të rilindte pas një të shkuare diktatoriale shumë të vështirë dhe një vend që jo shumë kohë më parë përgjatë jetës sime, ishte shumë i izoluar qoftë nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja. Një ‘’Kore e Veriut’’ e Evropës me 5 mijë vizitorë në vit dhe shumica prej tyre marksistë-leninistë të cilët vinin në Shqipëri. Ndërkohë vitin e kaluar arritëm afro 12 milionë kështu që në një farë mënyre, po i afrohemi Champions League së turizmit, jo në nivelin e Real Madridit siç është Spanja por jemi Girona e re e Europës kur vjen fjala për turizmin dhe ma ha mendja që nuk është keq.

Nga ana tjetër dua të them që kemi kaluar nëpër një reformë të jashtëzakonshme drejtësie, një pastrimi të jashtëzakonshëm të sistemit tonë të drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Procesi i rivlerësimit ka marrë shumë vëmendje e mjaft respekt në Europë dhe ka qenë thelbësor për ne që të ecim përpara dhe për herë të parë që kur kemi një shtet dhe jemi një shtet i ri, u pavarësuam nga Perandoria Osmane vetëm në 1912, kemi tashmë një gjyqësor që nuk është më në duart e politikës dhe na duhet të jemi dëshmitarë të kësaj gjëje duke parë edhe njerëz nga partia jonë, nga shumica jonë, të japin llogari para drejtësisë.

Kështu që e dinim këtë dhe nuk pendohemi, në të kundërt do të nxisim sa më shumë të jetë e mundur që më së fundi, shteti i së drejtës të jetë emëruesi i përbashkët i shoqërisë. Sigurisht, ka shumë tundime sot, sidomos në pjesën perëndimore të Europës për të menduar për largimin nga Bashkimi Evropian, për mbylljen e kufijve, për kthimin në kufijtë e vjetër doganorë ku vendet ishin gjithsecili më vete, e kështu me radhë dhe shpesh herë më duhet t’i përgjigjem pyetjes se ç’plan B ka Shqipëria? Duke qenë Bashkimi Evropian plani ynë A dhe unë përgjigjem bindshëm, shumë bindshëm se nuk ka plan B për ne, sepse të kemi një plan B përkundrejt Bashkimit Europian, është të kemi plan B përkundrejt lirisë individuale, është të kesh një plan B përkundrejt shtetit të së drejtës, është të kesh një plan B përkundrejt demokracisë dhe nëqoftëse ke një plan B përkundrejt këtyre të trijave, atëherë do të jesh i dënuar të jetosh në një shoqëri të kategorisë B, për shumë njerëz ku ka fitues e ku ka humbës dhe ne nuk e duam këtë. Ne duam një vend ku të gjithëve u jepet mundësia të fitojnë dhe ku askush, nuk mund të fitojë në kurriz të dikujt tjetër dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëqoftëse ne, në mënyrë këmbëngulëse zbatojmë liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë.

Nuk mund të jem më i lumtur se kaq dhe flas dhe në emër të kolegëve e miqve që kam këtu, që gjendemi sot mesh jush dhe ju, nuk mund të jeni më të lumtur se kaq se të jeni spanjollë e të jetoni në Spanjë. Po flas këtu për spanjollët e pranishëm sepse ka dhe kinezë e të tjerë, po jam i sigurtë që edhe ata janë të lumtur që gjenden në Spanjë. Të gjithë të jenë të lumtur të jenë në Spanjë. Spanja është një vend fantastik, një shembull fantastik dhe sigurisht, kur ke diçka është në natyrën njerëzore të duash një gjë tjetër por këshilla ime modeste është ,keni më shumë se mjaftueshëm që keni Spanjën, mos kërkoni diçka tjetër dhe keni më shumë se mjaftueshëm ta keni Spanjën në BE kështu që mos kërkoni gjë tjetër. Ne duam gjithmonë e më tepër që të jemi si ju e të jemi gjithmonë e më tepër me ju.

Historia midis Spanjës dhe Shqipërisë është përcaktuar me Spanjën duke mos qenë shumë e interesuar në pjesën tonë të Evropës historikisht por tashmë jemi të lumtur që shohim Melia-n e cila po lulëzon territorin tonë turistik. Janë nënshkruar më shumë se 20 kontrata, do të kemi shumë hotele Melia në Shqipëri, që është një ogur i mbarë dhe shpresoj që do të kemi më shumë marka spanjolle dhe më shumë kompani spanjolle që do të vijnë tek ne, ndërkohë që ka gjithmonë e më tepër turistë spanjollë që vijnë. Dua ta përmbyll duke thënë që verën e kaluar, turistët spanjollë ishin veçanërisht të lumtur në Shqipëri sepse ndodhi që Spanja luante në kampionatin evropian dhe iu desh po kështu edhe të rrihte Shqipërinë. Në shumë sheshe ku ndeshja transmetohej në televizion, turistët spanjollë u habitën vërtetë që në fund tifozët shqiptarë duartrokitën ekipin spanjoll edhe pse u rrahën prej tyre. Kështu e kuptojmë ne mikpritjen, miku vjen gjithmonë i pari dhe siç është i shkruar në kanunin tonë të parë, ‘’shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’’, pra po të duash të ndihesh Perëndi ndonjëherë, eja në Shqipëri dhe ta kuptosh se ç’do të thotë.

Javier, unë nuk kam fjalë për të shprehur mirënjohjen time për ju dhe mirënjohjen time ndaj Zotit që më bëri të të takoj dhe mirënjohja ime shkon edhe më tej, sepse më se fundi më takove me Felipe Gonzalesin. M’u desh të fitoja 3 zgjedhje e ndoshta duhet të fitoja edhe një palë të tjera për të takuar më së fundi legjendarin Felipe Gonzales dhe ti e bëre realitet, kështu që jam shumë falenderues ndaj të gjithëve ju që patët durim të dëgjoni fjalën time. Nuk është gjithnjë ide e mirë që t’i kërkoni një ballkanasi të mbajë një fjalë sepse s’është kurrë e shkurtër, por shpresoj të mos ketë qenë e mërzitshme.
Faleminderit shumë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA