“Nuk kam preferencë”/ Rama flet për zgjedhjet e Kosovës! Intervista në “El Mundo”, komenton edhe Gazën dhe vendimin e Trump për USAID

08/02/2025 11:38

Teksa ndodhet në Madrid për një vizitë dy ditore me një agjendë të ngjeshur takimesh dhe konferencash, kryeministri Edi Rama ka gjetur kohën për një intervistë me gazetën “El mundo”.

Kryesocialisti ka folur për një sërë çështjesh, që nga armëpushimi në Gaza, politika ndërkombëtare e Trump për bllokimin e fondeve, mbylljen e TikTok në Shqipëri si dhe ka thyer heshtjen për zgjedhjet që do mbahen nesër në Kosovë.

I pyetur se çfarë rezultatesh pret nga këto zgjedhje, Rama thotë se nuk ka asnjë preferencë me fituesin, pasi me të gjithë kandidatët ka një marrëdhenie të mirë.

“Kosova është një vend demokratik, i gjallë dhe i larmishëm. Dhe, si të gjitha vendet e Ballkanit, lufton me gjithë pasion dhe shumë zhurmë, por kjo është në rregull. I uroj për mirë, por nuk kam asnjë preferencë për rezultatet e zgjedhjeve. Unë jam një mik dhe i respektoj të gjithë”.

Teksa u ndal te emigrantët dhe se çfarë do të ndodhë me tej me marrëveshjen me Italinë, Rama i bëri thirrje Evropës që të zbatojë një politikë të përbashkët migracioni, të mbrojë kontrollin e kufijve, por edhe të jetë e “hapur” ndaj imigracionit legal.

Për politikën ndërkombëtare të Trump dhe rreth asaj çka po ndodh në Gaza, Rama dha shkurtimisht këtë përgjigje.

“Nuk kam asnjë koment për këtë. Mendoj se plani duhet të qartësohet, të kuptohet dhe të harmonizohet me të gjithë aktorët e tjerë. Është ende herët”.

I ndalur po te Trump me vendimin për pezullimin e fondeve nga USAID ku preket edhe vendi ynë, Rama siguroi se nuk do të ketë asnjë problem me afganët që jetojnë në Shqipëri.

“Nuk do të ketë asnjë problem me refugjatët afganë që jetojnë në Shqipëri. Nëse duan të qëndrojnë në vendin tonë, mund ta bëjnë këtë , nuk mund të kthehen në vendin e tyre dhe të ndalojnë dhunën. Këto nuk janë shifra të mëdha për ne, janë vetëm disa qindra njerëz”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA