![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/1200-630-Urgjence-ambulance-naten-800x450.png)
Teksa ish-ministri Lefter Koka mbahet në burg prej dhjetorit 2021, SPAK kërkoi një dënim të tretë për ish-funksionarin e lartë që kishte të bënte me inceneratorin e tretë, atë të Tiranës.
Në mungesë të Lefter Kokës që përfaqësohej në sallë nga mbrojtja, prokurori kërkoi që gjykata ta dënojë me katër vite burgim dhe pesë vjet ndalim për të ushtruar funksione publike. Akuza që i ngarkohet kësaj radhe është ajo e shpërdorimit të detyrës, në bashkëpunim me shtatë zyrtarë të tjerë. Për të njëjtën shkelje, gjithashtu SPAK kërkoi të dënohen me nga katër vjet burg secili dhe heqje e të drejtës për funksionet publike edhe Bledar Karoli, Taulant Tushe, Namik Samixhiu dhe Erjon Murataj, dy vjet burg Jetmir Llapaj dhe nga katër vjet shërbim prove Valbona Ballgjini dhe Sidita Kopliku.
Ata akuzohen se dëmtuan interesat e ligjshme për favor personal.
Prokurori tha se shkeljet u konstatuan gjatë hartimit dhe miratimit te dokumenteve standarde të koncesionit, mes anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit, në bashkëpunim me titullarin e Autoritetit Kontraktor, Lefter Koka, ish-Ministër i Mjedisit.
Ndërsa janë gjetur sipas SPAK të dhëna fiktive për studimin e fizibilitetit, duke rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve, ç’ka ka sjellë dëm në buxhetin e shtetit. Për inceneratorin e Tiranës, SPAK ka veçuar hetimet edhe për shtetas të tjerë. Ndërkohë që hetimet u finalizuan për 12 persona, ku përfshihen edhe Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Alba Thoma dhe Silena Tola.
Gjyqi për këta të fundit të vazhdojë në gjykatën e Tiranës, sepse kanë refuzuar gjykimin e shkurtuar.
Top Channel