“Gjuhë denigruese dhe sulmuese ndaj mediave e gazetarëve”/ Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kritikon Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje

07/02/2025 20:19

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ato që i ka quajtur “sulme të vazhdueshme” të kryeministrit të Kosovës dhe partisë së tij në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ndaj mediave dhe gazetarëve gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

AGK-ja tha të premten se Kurti i quajti portalet “pjesë të Trekëndëshit të Bermudës që duan ta fundosin Kosovën” gjatë një interviste për një televizion lokal, pa e përmendur se në cilin televizion saktësisht.

Pothuajse në të gjitha tubimet zgjedhore në qytete të ndryshme, Kurti ka përdorur gjuhë denigruese dhe sulmuese ndaj mediave, gazetarëve dhe komentatorëve të debateve televizive”, tha ajo në një shkrim në Facebook.

Sipas AGK-së, ekipe gazetarësh, përfshirë të mediave si Klan Kosova dhe Nacionale, “janë penguar nga zyrtarë të Vetëvendosjes në disa tubime zgjedhore, në përpjekje për të pamundësuar raportimin nga terreni”.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Lëvizjen Vetëvendosje për koment në lidhje me akuzat e AGK-së, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Fushata zgjedhore nisi më 11 janar dhe do të përfundojë sapo të hapen votimet mëngjesin e 9 shkurtit.

“Gjuha nxitëse nga ana e partisë në pushtet e vështirëson ndjeshëm mundësinë e raportimit. Bojkoti i Vetëvendosjes ndaj 3 televizioneve nacionale gjithashtu ka ndikim në ofrimin e transparencës dhe është shmangie e llogaridhënies ndaj një pjese të rëndësishme të publikut”, tha ajo.

LVV-ja, e cila qeverisë që katër vjet me Kosovën, është përballur me thirrje nga organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, që të heqë dorë nga bojkotimi i disa mediave të caktuara.

Më 10 janar, 13 organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore, që merren me lirinë e medias, ia bënë këtë thirrje Kurtit dhe LVV-së përmes një letre të hapur.

Sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama, ka thënë se partia e tij nuk po bojkoton mediat, po ka marrë vendim t’i “përjashtojë” tri kanale specifike dhe një vendim i tillë “nuk cenon peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.

Bojkotimi i disa mediave nga partia në pushtet shkon kundër llogaridhënies dhe transparencës, sipas njohësve medias dhe organizatat që monitorojnë fushatën zgjedhore.

Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL, organizatë që vëzhgon fushatën dhe procesin zgjedhor, tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë monitorimit vazhdimisht kanë vërejtur se ka pasur edhe sulme e kritika drejtuar mediave nga partia në pushtet.

Për përkeqësim të lirisë së medias në Kosovë flasin edhe të dhënat e organizatave të tjera ndërkombëtare. Në Indeksin për Lirinë e Shtypit të Reporterëve pa Kufij, më 2024, Kosova u rendit në vendin e 75-të, apo 19 vende më poshtë se vitin paraprak.

Reporterët pa Kufij thanë se pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët në Kosovë vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.

Ndërkaq, në raportin për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit më 2024, u citua Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që tha se “zyrtarë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe anëtarë të partisë në pushtet, janë angazhuar në fushata shpifëse për të minuar besimin e publikut në media”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA