Vrasja e 13-vjeçares shqiptare! Zbardhet krimi që bëri bujë në Itali, të miturën e hodhi nga tarraca i dashuri i saj

05/02/2025 22:48

Një nga krimet që tronditi Italinë dhe mori vëmendjen e medias për disa javë është zbardhur disa muaj më pas. 

Autopsia zbulon të vërtetën e trishtë të vdekjes së 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, më 25 tetor 2024, pasi fillimisht u tha se ra nga tarraca e një pallati në Itali. Mjekët e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Universitetit në Pavia kanë zbuluar se e mitura nuk është vetëhedhur, por është shtyrë nga dikush, duke rënë mbrapsht, e për pasojë, duke dëmtuar pjesën e pasme të kokës.

Ky skenar i paraqitur nga mjekët përputhet me atë të përshkruar në urdhrin e paraburgimit të Gjykatës për të Mitur të Bolonjës kundër ish-të dashurit 15-vjeçar të shqiptares, i cili është i arrestuar nën akuzën e vrasjes me dashje. Sipas autopsisë, 13-vjeçarja shqiptare kishte fraktura të shumta, të gjitha të lidhura me rënien nga lartësia, por ato fatale ishin dëmtimet në kokë, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Një tjetër pikë kyçe e ekzaminimit është përqendruar në dëmtimet e konstatuara në duart e vajzës, veçanërisht në kyçet e gishtave. Karabinierët e njësisë hetimore të Piacenzës, të cilëve u janë besuar hetimet, kanë mbledhur dëshmitë e tre personave që pretendojnë se kanë parë ose dëgjuar atë që ndodhi mes Aurorës dhe ish-të dashurit të saj në tarracë.

Dy prej tyre pretendojnë se kanë qenë dëshmitarë të skenës, edhe pse nga një distancë e caktuar. Një i tretë thotë se ka dëgjuar britmat e dëshpëruara të vajzës. Sipas rrëfimeve të tyre, Aurora është parë e varur pas parmakut, ndërsa djali godiste me grushte mbi duart e saj për ta bërë të bjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA