Mes përpjekjeve për gjetjen e një mënyre sesi t`i jepet fund luftës së Rusisë në Ukrainë, presidenti amerikan Donald Trump doli me një propozim që ngjalli jo pak diskutime.
Trump tregoi se dëshiron të kushtëzojë ndihmën e ardhshme amerikane për Kievin me një akses më të madh për SHBA-në tek mineralet e “e rralla të tokës ukrainase”– minerale për të cilat është shtuar ndjeshëm kërkesa për bateritë, kompjuterët, smartfonet dhe makinat elektrike, si dhe armatimet vete.
“Ne e mendojmë edhe arritjen e një marrëveshjeje me Ukrainën, në të cilën ata të sigurojnë vijimësinë e ndihmës sonë në këmbim të mineraleve të tyre të rralla e gjëra të tjera. Unë dua të kem sigurinë e mineraleve të rralla të tokës. Ne po japim qindra miliarda dollarë. Ata kanë minerale shumë të mira e të rralla në tokën e tyre. Unë dua ta kem këtë lloj sigurie”, u shpreh Trump.
Dhe duket, Ukraina, nuk është kundër një lëvizjeje të tillë. Presidenti Volodimir Zelensky u shpreh se janë të hapur ndaj faktit që e gjithë kjo mund të zhvillohet së bashku me partnerët që ndihmojnë në mbrojtjen e territorir ukrainas.
“Kjo është absolutisht e drejtë. Ne kemi biseduar për këtë çështje në shtator kur u takuam me presidentin Trump”, thotë Zelenesky.
Mineralet e rralla të tokës janë një grup prej 17 mineralesh si itirumi, ceriumi, lantani – që gjenden në sasi të vogla në sipërfaqen e Tokës. Kërkesa për to është në rritje për shkak se këto minerale përdoren për produkte të teknologjisë së lartë. Ukraina, sipas vetë Shërbimit Gjeologjik të saj, ka sasi të konsiderueshme të mineraleve të tilla, ndërsa është e pasur gjithashtu edhe me burime të tjera minerare, që janë më të zakonshme – qymyr, hekur, naftë dhe gaz – të cilat i sjellin të ardhura të mëdha shtetit, si dhe paraqesin mundësi të mëdha për investime.
Top Channel