Ofertë e çuditshme për SHBA-në, El Salvadori i gatshëm të pranojë kriminelët amerikanë në mega-burgun e tij

04/02/2025 17:14

El Salvadori ka ofruar të pranojë kriminelët e dëbuar nga SHBA, përfshirë ata me shtetësi amerikane, dhe t’i strehojë në mega-burgun e tij.

Marrëveshja u njoftua pasi Sekretari i Shtetit i SHBA Marco Rubio u takua me presidentin salvadorian Nayib Bukele gjatë vizitës së tij në vendin e Amerikës Qendrore, shkruan BBC.

Bukele tha se ai i kishte ofruar SHBA mundësinë për të transferuar një pjesë të sistemit të saj të burgjeve.

Rubio u shpreh se SHBA ishte “thellësisht mirënjohëse” ndaj Bukeles, duke shtuar se “asnjë vend nuk ka bërë ndonjëherë një ofertë miqësie si kjo”.

Sekretari Amerikan i Shtetit tha para gazetarëve: “Ai ka ofruar të strehojë në burgjet e tij kriminelë të rrezikshëm amerikanë në paraburgim në vendin tonë, përfshirë ata me nënshtetësi amerikane dhe rezidencë të ligjshme”.

Duke iu referuar dy prej bandave më famëkeqe të krimit transnacional të rajonit, Rubio shtoi se El Salvador do të pranonte gjithashtu emigrantë të deportuar dhe kriminelë nga çdo kombësi.

Bukele më vonë konfirmoi ofertën në X, duke specifikuar: “Ne jemi të gatshëm të pranojmë vetëm kriminelë të dënuar në mega-burgun tonë (CECOT) në këmbim të një tarife. Tarifa do të jetë relativisht e ulët për SHBA-në, por e rëndësishme për ne, duke e bërë të gjithë burgun tonë të qëndrueshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA