Departamenti Amerikan i Shtetit ka lajmëruar se Sekretari i Departamentit të Shteti, Marco Rubio do drejtojë përkohësisht USAID për të rishikuar aktivitetin e agjencisë pasi Presidenti Donald Trump kërkoi mbylljen e saj.
Në një deklaratë të postuar në “X”, DASH tha se agjencia kishte kohë që kishte devijuar nga misioni për të cilin ajo ishte krijuar dhe veprimtaria e saj nuk përputhej më me interesat e Shteteve të Bashkuara.
DASH lajmëroi se Sekretari i Departamentit të Shtetit, Marco Rubio ishte i zgjedhuri për të drejtuar përkohësisht agjencinë teksa autoritetet shqyrtonin veprimtarinë e saj.
Postimi i plotë:
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ka devijuar prej kohësh nga misioni i saj fillestar për të avancuar me përgjegjësi interesat amerikane jashtë vendit dhe tani është plotësisht e qartë se pjesë të konsiderueshme të financimit të USAID-it nuk janë në përputhje me interesat thelbësore kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Si një hap i përkohshëm drejt rikthimit të kontrollit dhe kuptimit më të mirë mbi aktivitetin e agjencisë, Presidenti Donald J. Trump emëroi Sekretarin Marco Rubio si administrator të përkohshëm të agjencisë.
Sekretari Rubio ka njoftuar gjithashtu Kongresin se një rishikim i aktiviteteve të ndihmës së huaj të USAID-it është duke u zhvilluar me synimin e riorganizimit të mundshëm.
Ndërsa vlerësojmë USAID-in dhe sigurojmë se është në përputhje me agjendën “Amerika e Para” dhe veprimet e Departamentit të Shtetit, ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesat e popullit amerikan dhe të sigurojmë që dollarët e tyre të taksave të mos shpërdorohen.
Top Channel