Presionet Panamasë, këtë radhë presidenti Trump ia përcolli përmes sekretarit të shtetit Marco Rubio, i cili ia bëri të qartë presidentit të këtij vendi Jose Raul Mulino në një takim përballë se vendi i tij duhet të zvogëlojë ndikimin kinez mbi Kanalin e Panamasë ose të përballet me veprime hakmarrëse nga administrata amerikane.
Dhe kërcënimet patën efekt vërtet. Mulino duket se i mori seriozisht, pasi tha se i ka zgjidhur shqetësimet e Uashingtonit për ndikimin e supozuar të Pekinit duke mos e rinovuar marrëveshjen e Panamasë për t’u bashkuar me nismën kryesore të Kinës, Një brez, një rrugë(BRI), ndërsa njoftoi gjithashtu hapa të mëtejshëm për të bashkëpunuar për emigracionin, një çështje e rëndësishme politike për administratën amerikane.
Panamaja është ndalesa e parë e turneut të kryediplomatit amerikan në Amerikën Qendrore, ndërsa Presidenti Donald Trump shton trysninë ndaj fqinjëve dhe aleatëve të Uashingtonit, përfshirë kërkesën që Kanali i Panamasë të vihet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara. Kjo është vizita e parë jashtë vendit që kur Rubio mori drejtimin e diplomacisë amerikane. Mulino është shprehur se nuk do të ketë negociata me Shtetet e Bashkuara për pronësinë e kanalit, ndërsa në Panama ka pasur protesta kundër planeve të Presidentit Trump. Rreth 200 protestues marshuan të dielën në kryeqytetin panamez, duke mbajtur flamuj dhe duke bërë thirrje patriotike për unitetin dhe sovranitetin e vendit. Disa protestues dogjën një pankartë me fotografitë e Presidentit Trump dhe Sekretarit Rubio, ndërsa brohoritën “Marco Rubio jashtë Panamasë”.
Policia i ndaloi përpara se t’i afroheshin pallatit presidencial. Zyrtarë dhe ekspertët e interpretuan këtë udhëtim të Rubios si një përpjekje që pjesërisht, synon tkurrjen e ndikimit në rritje të Kinës në rajon. Pekini u aktivizua politikisht në Panama në vitin 2017”, kur Panamaja nënshkroi me Kinën marrëveshjen “Një Brez një Rrugë” dhe njohu Tajvanin si pjesë të Kinës.
Top Channel