Kriza politike në Serbi po thellohet. Të martën e kaluar kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviç dha dorëheqjen.
Ndërsa në fundjavë janë mbledhur dhjetëra mijëra demonstrues në Novi Sad, për të shënuar tremujorin e vdekjes së 15 personave nga shembja e një kulmi në një stacion të trenit në këtë qytet.
Kryeministri dha dorëheqje pas protestave të shumta, por kjo nuk ka gjasa të kënaqë lëvizjen e protestës, studentët dhe qindra mijëra njerëz të tjerë që po protestojnë prej tre muajsh. Studentët dhe demonstruesit kërkojnë më shumë – ata kërkojnë reforma të thella dhe shpresojnë ndryshimin e politikës në Serbi, e cila është e afërt me Rusinë, shkruan Fabian Eberhard, kryeredaktor i edicionit javor të gazetës zvicerane Blik.
Përgjimet e regjimit të Vuçiçit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është kapur pas pushtetit dhe po përdor metoda jashtëzakonisht të diskutueshme në përpjekje për të ndalur protestat dhe evituar rënien e tij. Në fund të vitit 2024, organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International dhe rrjeti investigativ BIRN njoftuan se qeveria e tij po monitoronte aktivistët dhe gazetarët. Sipas analizës së të dhënave, autoritetet serbe kanë instaluar ilegalisht spyware në dhjetëra telefona të kritikëve të regjimit, shkruan gazeta. Programet e vëzhgimit shkarkonin foto dhe mesazhe me tekst, dhe përgjonin mikrofonat e shikonin kamerat e kundërshtarëve të Vuçiqit.
Ministria e Brendshme e Serbisë dhe shërbimi inteligjent (BIA) i kanë hedhur poshtë akuzat si “të pakuptimta” dhe “të pasakta”. Por dyshimet kanë mbetur.
Teknologji spiunazhi me vlerë dy milionë franga
Hulumtimet e fundit tregojnë se qeveria serbe po mbështetet edhe tek teknologjitë zvicerane për operacionet e saj të spiunimit. Në vitin 2023, autoritetet zvicerane miratuan dërgimin në Serbi të të ashtuquajturave IMSI-catchers, me një vlerë prej gati dy milionë franga. Këto pajisje shumë të sofistikuara mundësojnë zbulimin e vendndodhjes, përgjimin dhe monitorimin e telefonave celularë. Këto janë pajisje që mund të përdoren për të lexuar Identitetin Ndërkombëtar të Pajtimtarit celular (IMSI) nga karta SIM e një telefoni celular dhe për të përcaktuar vendndodhjen e tij brenda një qelize specifike të rrjetit celular. Zakonisht përdoret në luftën kundër krimit.
Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike (Seco) konfirmoi dorëzimin e këtyre pajisjeve. Sipas zëdhënësit Fabian Mayenfisch, pajisjet e vëzhgimit u eksportuan në institucionet shtetërore në Serbi. Ai nuk ka specifikuar, por me siguri ka qenë Ministria e Punëve të Brendshme apo shërbimi inteligjent BIA. Nuk dihet gjithashtu se cila kompani zvicerane e ka zbatuar kontratën.
Serbi, protestat e mëdha kundër Vuçiçit me drita celularësh dhe flamuj
Blik shkruan se shitja e teknologjisë zvicerane të vëzhgimit shtetit serb është e diskutueshme. Rregullorja për eksportin dhe ndërmjetësimin e mallrave për mbikëqyrje të internetit dhe celularëve ndalon shpërndarjen nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se teknologjia do të përdoret për shtypje në vendin e përdoruesit përfundimtar.
Sot eksportet ndoshta do të refuzoheshin
Për vendimin për eksportimin e IMSI, Seco u konsultua me Ministrinë e Punëve të Jashtme (EDA), Ministrinë e Mbrojtjes (VBS) dhe shërbimin e inteligjencës (NDB). Në fund qeveria dha dritën jeshile. Zëdhënësi i Seco, Mayenfish tha: “Gjatë shqyrtimit individual nuk kishte prova të mjaftueshme që përdoruesi do ta përdorte këtë teknologji për presione e shtypje.”
Sot ndoshta vendimi do të ishte ndryshe. Dëshmia se autoritetet në Serbi po përdorin spyware kundër kritikëve të regjimit tani janë shumë të qarta. Aktivistët dhe gazetarët u thirrën në polici për të ashtuquajturat “intervista informative”, një praktikë e kohës së komunizmit në të cilën personazhet e opozitës u morën në pyetje pa një arsye të qartë. Sipas një raporti të Amnesty International, nga policia u përdor edhe softueri izraelit Pegasus, si dhe softueri serb i vëzhgimit Novispy.
Tani ka mbetur vetëm Vuçiç
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç po qeveris gjithnjë e më shumë duke përdorur metoda autoritare. Media, gjyqësori dhe administrata janë kryesisht nën kontrollin e besnikëve të tij. Por protestat e nisura tre muaj më parë tani po e kërcënojnë seriozisht edhe atë. Vendi është dëshmitar i demonstratave më të mëdha që nga kryengritja kundër Slobodan Millosheviqit në vitin 2000.
Vuçiç, i cili ka qenë në pushtet në funksione të ndryshme që nga viti 2012, ka akuzuar protestuesit se janë nën kontrollin e shërbimeve të huaja inteligjente.
Me tërheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç, qeveria serbe shpreson të qetësojë opozitën. A do të ndihmojë kjo sakrificë e kryeministrit? Pas dorëheqjes së tij, protestat kanë vazhduar. Lëvizja protestuese ka vetëm një fajtor për situatën në vend: Aleksandar Vuçiçin, përfundon Blik./DW
Top Channel