Tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës/ Ishin duke luajtur, dalin pamjet nga shembja e objektit që i mori jetën tre fëmijëve të mitur

02/02/2025 12:06

Tre fëmijë kanë vdekur nga shembja e një objekti në fshatin Jabllanicë të Komunës së Gjakovës. 

Ideal Rama, Ramë Mehmeti dhe Veton Morina gjatë ditës janë parë në afërsi të objektit të vjetëruar. Shembja e dyqanit ndodhi rreth orës 16:35 minuta pasditen e së shtunës.

Për rreth gjashtë orë tre fëmijët mbetën nën rrënoja deri në momentin u mor informacioni se ata ndodheshin aty pas shembjes së objektit.

Familjarët dhe banorët e kuptuan se të rinjtë ndodheshin brenda objektit përmes dridhjeve të telefonit të njërit prej viktimave.

E kemi kuptuar nga ora pesë se kanë shkuar njëherë në shitore dhe nuk i kemi gjetë. I kemi thirrë në telefona, nuk janë lajmëruar. Objekti është prishur dhe pas orës dhjetë kemi ardhë këtu dhe kemi thirrë në telefona dhe e kemi pa që janë këtu“-tregon një familjar.

Banorët menjëherë u aktivizuan për të gërmuar në rrënoja.

“Rreth orës 11 kemi dëgju për rastin, jemi mobilizuar si kemi mujtë, jemi ardhë dikush me traktor, dikush me kazëm e kemi vrejtë që janë këtu dhe e kemi bë intervenimin.”

Përkundër përpjekjeve të banorëve të fshatit, dy 15-vjeçarët dhe një 14-vjeçari nuk arritën të nxirreshin të gjallë.

“Në 11:40 kur kemi punu këtu kishte avull, shpresonim se mos janë gjallë dhe mos kanë mbetë aty, por jo. Njërin nga ata e kishte zënë në këmbë, dy të tjerët të dëmtuar shumë.”

Objekti ishte shumë i vjetër e sipas banorëve nuk dihen arsyet që mund të kenë çuar deri te shembja e tij.

“Është shumë e vjetër dhe e pambuluar dhe është deformuar sepse është edhe e djegur. Shumë pak ju ka dashtë, një dridhje, një lëvizje shumë e vogël.“- shprehet një tjetër banor.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në rrethana të panjohura është shembur objekti, dhe ka zënë të miturit të cilët kanë qenë duke qëndruar brenda saj janë zënë nga pllaka.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet familjarëve.

Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër”, ka shkruar Osmani.

Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar hetim rreth rastit.

Bëj thirrje që në kohën sa më të shpejtë të kemi hetim të imtësishëm e të tërësishëm të rastit“, ka shkruar Konjufca.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta