Siguracionet për Greqi dhe RMV/ Kreu i AMIE bën apel që të veprohet njësoj si me Malin e Zi: Ulni tarifat

02/02/2025 19:47

Pas uljes së siguracionit për mjetet me Malin e Zi, kreu i AMIE ka kërkuar që edhe me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut qytetarët shqiptarë të kenë të njëjtën mundësi.

Nga Korça, Vasil Sterjovski ka apeluar që kjo lehtësi të mundësohet edhe për lëvizjen në dy shtetet kufitare pasi sipas tij banorët e fshatrave dhe qyteteve që jetojnë në afërsi të tyre udhëtojnë shpesh për të bërë pazare ushqimore apo për të furnizuar mjetet me karburant për shkak të çmimeve më të lira.

Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave, Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) përshëndet vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit, i cili hyri në fuqi më 1 shkurt 2025, dhe që mundëson qytetarëve shqiptarë të lëvizin drejt Malit të Zi me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me një prim të reduktuar prej vetëm 50 euro në vit, në vend të 400 eurove që aplikoheshin më parë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të lëvizjes dhe uljes së kostove për qytetarët tanë. Ky vendim do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë, veçanërisht për banorët e Qarkut të Korçës, të cilët kanë lidhje të ngushta me Maqedoninë dhe Greqinë për arsye familjare, ekonomike dhe kulturore.”

 

Top Channel