Një 15-vjeçar u plagos mbrëmjen e së enjtes me armë zjarri në zonën e Fushë Mëzezit në Tiranë.
I mituri u paraqit në spitalin e Traumës me tre plumba rreth orës 20:30 dhe në deklarimin paraprak, refuzoi të tregonte se kush e kishte plagosur.
Pak orë pas ngjarjes, falë dëshmisë së nënës së te miturit para grupit hetimor, policia e Tiranës ka shpallur në kërkim si autor xhaxhanë e tij, Nazmi Pëllumbi 29 vjeç.
Ky i fundit, gjatë një konflikti me vëllanë e tij binjak, Florant Pëllumbin në oborrin e përbashkët të banesave të tyre, ka shkrepur automatikun disa herë, por plumbat kapën aksidentalisht nipin e tyre të mitur i cili ndodhej aty pranë.
Në vendin e ngjarjes, në portën e oborrit të tyre hetuesit konstatuan 5 gjurmë plumbash, sikurse raporton gazetarja e Top Channel, Kleida Muka.
Nazmi Pëllumbi është shpallur në kërkim për veprat penale penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Binjaku i 29-vjeçarit, Floranti, ra në prangat e policisë, pasi iu gjet në banesë një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Droga dyshohet se është edhe shkaku i përplasjes fizike mes dy vëllezërve që degradoi deri në përdorimin e armës.
I mituri, djali i vëllait tjetër të binjakëve, aktualisht ndodhet i shtuar në spital në gjendje stabël, ndërsa mbrëmjen e djeshme iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të plumbave të marrë në kraharor, shpatull dhe krahë.
Ndërkohë vijojnë ende hetimet për ngjarjen dhe për arrestimin e xhaxhait të të miturit që është shpallur në kërkim.
Top Channel