Gjatë ditëve të tij të para në detyrë, presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar shqetësim të gjerë me disa nga urdhrat ekzekutivë që ai ka nënshkruar.

Disa nga diktatet e tij kanë qenë deklarative, si ndryshimi i emrit të Gjirit të Meksikës në Gjiri i Amerikës. Por të tjerat kanë pasur pasoja më konkrete larg Uashingtonit.

Njëri prej tyre, Urdhri Ekzekutiv për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës së Jashtme të Shteteve të Bashkuara, ka pezulluar të gjitha projektet e financuara nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, dhe Departamenti i Shtetit.

Urdhri, i cili hyri në fuqi më 27 janar, ndalon aktivitetet e financuara nga SHBA-ja për tre muaj, derisa të përfundojë një proces vlerësimi “për t’u siguruar që ato janë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA-së nën agjendën Amerika e Para”, thuhet në një deklaratë të USAID.

Kjo ka prekur menjëherë një sërë organizatash në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi, grupi i shteteve të quajtur “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor” nga organizatat ndërkombëtare.

Nga viti 2020 deri në fund të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara kanë investuar 1.7 miliardë dollarë në ndihmë në Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur organizata të shoqërisë civile dhe institucione shtetërore dhe projekte, duke filluar nga të drejtat e njeriut dhe media e deri tek efikasiteti energjetik.

Shumë prej organizatave në këto vende janë njoftuar zyrtarisht se të gjitha projektet janë ndërprerë për tre muaj deri në përfundimin e periudhës së vlerësimit.

“Shpenzimet që kishim deri më 27 janar do të mund të mbulohen nga paratë e projektit, ndërsa çdo gjë më pas duhet të ndalet”, tha për BIRN në kushte anonimiteti redaktori i një medie të vogël investigative në Sarajevë, Bosnje.

Bllokada do të nënkuptojë gjithashtu se ne do të duhet të pushojmë një nga gazetarët, ndërsa tre të tjerët do të punojnë për 60 për qind të rrogës së tyre”, shtoi ai, duke thënë se nuk janë të sigurt se çfarë do të ndodhë pas rishikimit 90-ditor.

Nuk dihet numri i saktë i projekteve të prekura

Ndërsa SHBA-ja ka mbështetur mijëra aktivitete në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ende nuk dihet numri i saktë i projekteve të prekura.

BIRN kontaktoi zyrat lokale të USAID-it në të gjashtë vendet, por të gjitha e ridrejtuan pyetjen në selinë e agjencisë në Uashington, e cila u përgjigj duke dërguar një link me deklaratën e saj për shtyp.

Presidenti Trump deklaroi qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të japin më verbërisht para pa ndonjë dobi për popullin amerikan. Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës së huaj në emër të taksapaguesve punëtorë nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë, por është një imperativ moral”, tha USAID.

Ndërsa shumë prej tyre hezitojnë të flasin hapur, një burim që punon me USAID-in i tha BIRN se “ka të ngjarë që programet që synojnë të drejtat LGBTI ose organizatat feministe do të ndërpriten përfundimisht” pas periudhës së vlerësimit.

I njëjti burim shtoi se të punësuarit në USAID dhe organizata të tjera të financuara nga Departamenti i Shtetit janë njoftuar se do të vazhdojnë të paguhen edhe për tre muajt e ardhshëm, por nuk u lejohet të punojnë në asnjë aktivitet me grantmarrësit.

Ambasadat amerikane i ridrejtojnë pyetjet në Shtëpinë e Bardhë

Pas urdhrit ekzekutiv të Trump për ndalimin e ndihmës amerikane për 90 ditë, ambasada e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut refuzoi të komentonte apo t’u përgjigjej pyetjeve të medias, përfshirë pyetjet nga BIRN, në lidhje me shumën e parave të ndihmës në fjalë dhe detaje rreth fondeve të ngrira, duke thënë se përgjigjet duhet të kërkohen nga Shtëpia e Bardhë.

Pjesa më e madhe e ndihmës amerikane në Maqedoninë e Veriut kalon përmes USAID-it, ndërsa pjesa tjetër e projekteve financohen përmes Institutit Republikan Ndërkombëtar, IRI, dhe Institutit Kombëtar Demokratik, NDI.

Të dhënat e disponueshme nga faqja e internetit e USAID-it tregojnë se më shumë se 72 milionë dollarë të ndara për 22 projekte në vazhdim në Maqedoninë e Veriut tani janë në pritje. Këto përfshijnë projekte që lidhen me reduktimin e korrupsionit, përmirësimin e konkurrencës ekonomike, rritjen e angazhimit social të publikut, projekte të ndryshme që trajtojnë të rinjtë, si dhe projekte të hartuara për të ndihmuar bashkitë dhe autoritetet lokale.

Shuma totale e përfshirë është edhe më e madhe, pasi USAID gjithashtu financon gjashtë projekte rajonale në Ballkan që përfshijnë Maqedoninë e Veriut, me vlerë rreth 140 milionë dollarë në total. Burime nga sektori i OJQ-ve në Maqedoninë e Veriut thanë për BIRN se nuk janë të sigurt për rezultatin përfundimtar.

Nuk mund të komentojmë ende pasi disa gjëra ende nuk janë të qarta për ne. Por jemi të shqetësuar. Ende nuk e dimë me siguri nëse këto fonde janë ndalur vetëm përkohësisht, derisa të bëhet vlerësimi, apo kjo është vetëm një mënyrë e butë për të shkurtuar këto fonde përgjithmonë”, tha për BIRN në kushte anonimiteti kreu i një OJQ-je me qendër në Shkup.

Sipas këtij burimi, të gjitha projektet e financuara nga SHBA-ja në Maqedoninë e Veriut janë aktualisht në pritje, dhe pagesat për projektet në vazhdim bëhen vetëm për punë të kryera deri më 27 janar. Të gjitha kostot përtej kësaj date mbeten pezull.

Bllokohet gjithashtu mbështetja për institucionet shtetërore

Ambasada amerikane në Tiranë konfirmoi të mërkurën për mediat lokale se fondet për institucionet dhe organizatat shqiptare janë ndërprerë për tre muaj.

Në një letër dërguar Ministrisë së Jashtme shqiptare, ambasada amerikane tha se “dëshiron të informojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë për qëllimin e Urdhrit Ekzekutiv të SHBA-së për të ndërprerë zbatimin, detyrimet e reja dhe disbursimet e fondeve në pritje të rishikimit të të gjitha programeve të ndihmës së huaj. Partnerët e programit dhe zbatuesit e programeve të asistencës të financuara nga SHBA-ja në Shqipëri janë duke u njoftuar për këtë veprim.”

Në letër përmenden të paktën 30 institucione. Ato përfshijnë gjykatat, zyrat e prokurorisë dhe ministritë e Mbrojtjes, Arsimit dhe Sportit dhe Financave.

Iris Luarasi, profesoreshë në Universitetin e Tiranës, e cila drejton një organizatë që fokusohet në dhunën në familje dhe të drejtat e grave, e quajtur Linja e Këshillimit, i tha BIRN se vendimi i SHBA-së “për të ngrirë fondet për programet e Diversitetit, Barazisë, Përfshirjes (DEI) ka implikime për organizatat e shoqërisë civile, veçanërisht për komunitetet në nevojë dhe në rastin tonë konkret për gratë viktima të dhunës në familje”.

Ky vendim paraqet sfida të mëdha për shumë organizata të shoqërisë civile, por gjithashtu thekson rëndësinë e vazhdueshme të punës së organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Nëse këto fonde shkurtohen përfundimisht, do të jetë shqetësuese dhe me ndikim për komunitetet e margjinalizuara, ku gratë shpesh përballen me barrierat më të mëdha për të aksesuar ndihmën. Programet e DEI kanë qenë shumë të rëndësishme në adresimin e këtyre pabarazive dhe humbja e tyre mund të thellojë më tej hendekun në shërbime”, tha ajo./ BIRN

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA